E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mrkic: Kemi forcë për negociata

Në negociata me Prishtinën po shkojmë me bindjen se është e mundshme të gjendet zgjidhja e balancuar për statusin final të “Kosovës e Metohisë”, që do të jetë pozitive për Serbinë, e kjo mund të arrihet vetëm nëse pala shqiptare është e përkushtuar seriozisht ndaj marrëveshjeve, ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkic.

Në një intervistë për gazetën e sotme “Veçernje novosti”, kryediplomati serb thotë se “gjithçka është në tavolinë, ndryshe nuk do ta nisnim dialogun politik në nivel aq të lartë.

“Ata, për të cilët pavarësia (e Kosovës) është muhabet i kryer, në botë janë në pakicë. Shumica e shteteve në KB e ndanë qëndrimin tonë dhe me këtë ndihmon në ruajtjen e sovranitetit dhe të tërësisë tonë tokësore. Jam plotësisht i sigurt se diçka në negociata mund të prodhojmë. Të mos kishim forcën përkatëse, as që do të uleshim në tryezën negociatore”, ka theksuar Mrkic.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se në takimet e deritashme ka fituar përshtypjen se BE kësaj radhe po tregon sensibilitet për pozicionin e Serbisë.

“Kjo e lehtëson vazhdimin dhe seriozitetin e negociatave. E pranoj se kjo më parë nuk ka ekzistuar sa duhet. Evident se është vlerësuar se ka ardhur çasti të shfaqet kujdes edhe mbi interesat tona. Nëse ky trend shtohet, besoj se në fund to të arrihet ndonjë zgjidhje”, ka thënë ai.

Ivan Mrkic ka theksuar se “Platforma e shtetit për Kosovën e Metohinë” do të publikohet me siguri gjatë ditëve të ardhshme, sepse hartimi është kah fundi.

“Po përpiqemi me gjithë forcën ta përfundojmë formulimin e atij dokumenti, e kjo kërkon kohë. Çdo gjë që është qenësore do ta ndajmë me Kuvendin, sepse kjo nuk është çështje vetëm e kësaj qeverie. Platforma është me rëndësi të dorës së parë kombëtar dhe dëshirojmë që ajo të jetë rezultat i asaj që e ndien shumica dërmuese e popullit tonë”, ka thënë Ministri i Jashtëm serb. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›