Muaji i Ramazanit, Nishani uron besimtarët: Humanizëm, agjërim të lehtë
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë për nisjen e Muajit të Ramazanit. Përmes një mesazhi urimi Nishani thotë se mesazhet që përcjell ky muaj janë nga më madhështorët.
Të nderuar besimtarë myslimanë,
Ju përshëndes me shumë dashuri dhe respekt sot në ditën e parë të Ramazanit. Ramazani ndërthur shenjtërisht sakrificën materiale me lartësimin shpirtëror.
Ramazani është një akt i lartë religjioz dhe human me përmasa kolosale. Duke qenë gjithëpërfshirës dhe universal, efektet dhe dobitë e Ramazanit, paqja, purifikimi, lartësimi, mbarëvajtja, janë të shkrira brenda Tij në një mënyrë harmonike të përsosur brenda një diapazoni mahnitës, që përfshin gjithçka njerëzore, nga aspekti shpirtëror në atë utilitar, nga secili besimtar veç e veç, tek i gjithë komuniteti bashkarisht.
Mesazhet që përcjell riti i Ramazanit janë nga më madhështoret.
Kthimi i vështrimit nga vetja.
Uria dhe etja, dhe në përgjithësi vuajtjet materiale, janë vuajtje
provizore që shpërblehen.
Vazhdimi i ekzistencës bëhet vetëm përmes mbajtjes gjallë të shpresës,
e cila, nga ana e vet, ushqehet nga dhimbjet e sakrificës.
Ndjenja e mëshirës dhe dashurisë për të gjithë njerëzit njëlloj.
Largimi i brengave.
Harrimi i kujtimeve të hidhura.
Këto dhe të tjera janë arsyet pse Ramazani prej shekujsh zbatohet dhe nderohet me aq devocion dhe përpikmëri nga Ju dhe besimtarët myslimanë të mbarë botës.
Ramazan të lehtë të gjithëve!,-përfundon urimi i presidentit.
Ndërsa dje kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ka uruar të gjithë besimtarët për nisjen e Muajit të Ramazanit dhe i është lutur Zotit për më shumë paqe dhe begati.
Edhe për ne Ramazani është i mirseardhur në të gjitha vatrat. Duhet të ushtrojmë më shumë drejtësi, barazi, harmoni dhe gjithçka që vjen nga mësimet e Zotit. I lutem zotit të sjellë në çdo familje paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti fuqiplotë e bekoftë popullin shqiptar, paçi mirësi dhe begati dhe Zoti ua pranoftë të gjithë lutjet gjatë Ramazanit,- tha ai.
Ramazani vjen çdo vit dhjetë ditë më herët dhe zgjat 30 ditë. Ramazani është muaji i nëntë i Kalendarit Islamik (sipas Hënës). Është muaji në të cilin ajetet e para të Kuranit iu zbritën Profetit Muhamed as. Dalja e Hënës së Re në fund të Ramazanit shënon festimin e Bajramit të Madh.