"Muajt e mjaltit" - i treti Grand Prix për Paskaljevic-in në Valladolid
Në edicionin e 54 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Spanjë, në qytetin Valladolid, filmi i ri "Muajt e mjaltit" serbo-shqiptar, i regjisorit Goran Paskaljevic, është vlerësuar me çmimin më të lartë, "GOLDEN Spike", njëherësh edhe me FIPRESCI Award, i jurisë ndërkombëtare të kritikëve të filmit.
Konkurrimi ka qenë i fortë, i ndodhur në mes të veprave më të reja të Paul Schrader-it, Steven Soderbergh-ut, Theo Angelopulos-it, dhe të tjerëve regjisorë të mirënjohur nga bota, filmi i Paskaljeviçit është vlerësuar, siç do ta përmblidhte me pak fjalë këtë vlerësim kryetari i jurisë, regjisori italian Ettore Scola, "Për fuqinë e gjuhës kinematografike dhe efektin e thellë emocional në një histori filmime nga Ballkani."
Është hera e tretë që Paskaljeviç fiton çmimin këtij festivali prestigjioz, edhe për filmat e tij "Amerika e tjetërkujt" (1995) dhe "Omptimistët" tre vjet më parë.
Roberto Rossellini dhe regjisori britanik Ken Loach e kanë fituar nga dy herë "GOLDEN Spike" dhe është Goran Paskaljeviç ai që e ka fituar tre herë.
Çmimet do të merren nga bashkëskenaristi dhe bashkëproducenti shqiptar, Genc Përmeti, ndërkohë që regjisori ndodhet në festivalin e filmit në San Paolo, si president i jurisë ndërkombëtare.
Në një konferencë për shtyp, Pascaljeviç ka përshëndetur që nga Brazili jurinë e festivalit të Valladolidit. Është shprehur sidomos i kënaqur që vlerësimi është dhënë nga një juri kompetente e kryesuar nga regjisori më i madh italian i gjallë, Ettore Scola, njëherësh dhe nga regjisori meksikan Arturo Ripstein, producenti Antonio Saura, dhe të tjerë.
Premiera në Beograd e "Muajt e mjaltit" do të jetë më 24 nëntor në Sava Center, dhe tre ditë më vonë në Tiranë, në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, ndërsa në Paris dhe Madrid para pushimeve të fundvitit.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Kosovë
Sonte, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit (2-8 nëntor) me shfaqjen "Rags of Memory" të Teatrit Instabili Vaganti. Gjithsej prezantohen 8 shfaqje, përfshi edhe dy nga Kosova, nga Teatri dhe Baleti Kombëtar i Kosovës.
Ky edicion është konceptuar si paraqitje e shfaqjeve teatrore që janë krijuar duke u bazuar në artin e këndimit dhe përgjithësisht në elementet dhe në format e ndryshme muzikore.
Sipas këtij vështrimi, përvoja krijuese e teatrove të ndryshme, të cilat me shfaqjet e tyre do të jenë pjesë e këtij festivali, rikonfirmon aftësinë e përhershme rigjeneruese dhe eksploruese të teatrit.
Një gjuhë po aq e vlefshme sa edhe muzika, në disa nga shfaqjet e këtij edicioni është dimensioni i ritualit, i huazuar dhe i përshtatur artistikisht duke u mbështetur në traditën e ritualeve të vendeve dhe kombeve të ndryshme në kohë të ndryshme.
Këngët e vjetra dhe ritet e traditës popullore kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një burim i pashtershëm, në të cilin teatri, si një medium me rrënjë e farë në lashtësitë primitive, e shuan etjen, kureshtjen dhe nevojën e tij të përhershme për t'u identifikuar me shenjat e një tradite, nga e cila jo rastësisht, ka trashëguar shumë nga imazhet, reflekset, hieroglifet dhe normat e identitetit të tij.
Në gjashtë ditët e festivalit do të organizohen edhe aktivitete të tjera me karakter etnologjik dhe prezantime e seminare për teatrin, në praninë e shumë artistëve nga vendi dhe bota.
"Irrevocabilis" e Emine Sadikut
"Irrevocabilis" (E pariparueshmja) e Emine Sadikut vjen në qytetin e saj të lindjes pas një karriere të gjatë si pedagoge në Gjermani ku edhe jep mësim gjuhën shqipe si gjuhë e huaj.
Sadiku ka zhvendosur kujtimet e saj në një roman ku në qendër është gruaja, vuajtjet prej mentalitetit dhe pasojat që do të duhet të kalonte duke humbur madje edhe mundësinë për t'u bërë nënë. Aborti i ndaluar, mjetet primitive dhe histori rrëqethëse vijnë në këtë libër me gjuhë të pasur. Emine Sadiku është autore e disa librave të gjuhësisë si:
- "Vëzhgime mbi leksikun shprehës të Ismail Kadaresë"
- "Valenca e foljeve në shqip e në gjermanisht"
- " Shqipja si gjuhë e huaj"
- "Gjuha Shqipe për CV" (bashkëautore)
- "Gramatikë praktike shqip-gjermanisht"