1,2 milionë euro për banesa me qira
Ndërtimi i 96 apartamenteve, bashkia miraton bonus për personat që kanë ndërtuar në truallin e pallateve
ELBASAN - Dy vendime i kanë hapur rrugë ndërtimit të 96 apartamenteve nga bashkia në qytetin e Elbasanit. Apartamentet do të shërbejnë si banesa me qira të ulët për familjet e varfra dhe pa strehë.
Kështu në mbledhjen e radhës që ka qenë edhe afati i fundit për t'i hapur rrugë punimeve, në të kundërt digjej fondi, këshilltarëve iu është dashur të mblidhen për të miratuar dhënien e bonusit për familjet që iu prishen shtëpitë në proces legalizimi për efekt të ndërtimit të 96 apartamenteve sociale të financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Me vendim të KRRT-së së bashkisë rezulton se duhet të prishen rreth 20 objekte. Bonusi do të aplikohet rast pas rasti sipas kritereve dhe akteve nënligjore si për legalizimin, ashtu edhe për sipërfaqen.
Nga ana e bashkisë është propozuar që bonusi të jetë 5 mijë lekë të rinj për çdo familje, shumë e cila propozohet pas analizës së gjendjes faktike të tyre.
Gjithsesi, i është lënë Këshillit Bashkiak të miratojë një bonus paraprak për ta deri në ndërtimin e apartamenteve. Ndërkohë po gjatë kësaj mbledhjeje, është miratuar dhënia e banesës falas për familjen që ka një ndërtim me statusin e të legalizuarit.
Shtetasi Kujtim Mejdani përfiton i pari nga bonusi i strehimit pasi ka paraqitur dokumentacionin për përfshirjen në legalizim. Me këtë shtetas është lidhur edhe një aktmarrëveshje.
Sipërfaqja e ndërtimit që i jepet falas do të duhet të përputhet me sipërfaqen e objektit të përfshirë në procesin e legalizimit. Bashkia Elbasan ka përfituar një hua afatgjatë me një vlerë prej 1,2 milionë eurosh me kushte të kënaqshme për zbutjen e problemit të strehimit, sidomos për familjet që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për blerje.
Pritet që brenda muajit nëntor të nisin punimet për ndërtimin e pallateve që do të strehojnë 96 familje me kushte të vështira sociale. Këto apartamente mbeten pronë e bashkisë.