E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: Largohem pas kontestimeve të ambientit korçar

Rrufé në qiell të hapur në Korçë! Në fakt, mbase qielli nuk ka qenë edhe aq i kthjellët, por largimi i Shkëlqim Muçës paraditen e djeshme nga drejtimi i stolit korçar, pikërisht para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit kundër Flamurtarit, ka qenë një sensacion i vërtetë. E vërteta është se prej dy-tri javësh në Korçë kishin nisur pakënaqësitë rreth trajnerit kryeqytetas, ekipi i të cilit nuk po arrinte dot të nënshtronte kundërshtarë të nivelit të dytë, çka solli dhe humbjen e terrenit me vlonjatët. Por kapakun ia ka vënë sfida e së mërkurës për Kupën e Shqipërisë, ku Skënderbeu u mposht në shtëpi 1-3 nga Besa. Fjalët e korridoreve tregojnë edhe për një debat të ndezur mes Muçës dhe një grupi lojtarësh bardhekuq në përfundim të 90 minutave të Kupës, por kjo nuk mund të vërtetohet kurrë nëse dikush nuk “çel” gojën. Sidoqoftë, dje paradite ka ardhur shkarkimi zyrtar i Shkëlqim Muçës. Ish-trajneri kampion me Tiranën dhe Dinamon ia ka paraqitur dorëheqjen presidentit Agim Zeqo, i cili e ka pranuar atë. Muça ka lëshuar një deklaratë të shkurtër në lidhje me situatën, deklaratë ku duket qartazi krejt hidhërimi i tij. “Largohem nga pankina e Skënderbeut pas asaj humbjeje me Besën dhe pas kontestimit të tifozëve si dhe pakënaqësisë së shfaqur nga drejtuesit. I falënderoj të gjithë për këtë eksperiencë dhe për këtë aventurë korçare,” ka thënë ish-trajneri i Skënderbeut.

Megjithatë, sqarime nga ana e krerëve korçarë nuk ka. Besohet se shkarkimi i Muçës ka ardhur me motivacionin për mosjustifikimin e investimeve kolosale të bëra nga drejtuesit bardhekuq në këtë sezon. Muça erdhi në krye të Skënderbeut në janar të sezonit të kaluar dhe arriti që me përforcimet e shumta ta mbajë skuadrën juglindore në superligë. Këtë sezon pretendimet ishin edhe më të mëdha, por, pas një starti të mirë, Skënderbeu rrëshqiti në ndeshjet e para të pjesës së dytë të kampionatit, duke thelluar diferencën në -7 me Flamurtarin kryesues. Kjo situatë është edhe më e favorshme për vlonjatët, që do të gjejnë në transfertën e Korçës një ekip të shpërqendruar nga ndodhitë e ditëve të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›