E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: Objektivi i Skënderbeut mbetet titulli kampion

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-02-2011 11:19

Nuk kishte shkelur ende mirë në Korçë, por trajneri i sapoemëruar i Skënderbeut, Shpëtim Duro, shpalosi menjëherë objektivat e tij, duke thënë atë që veshët e përvëluar të korçarëve donin të dëgjonin. “Kam ardhur te Skënderbeu me një objektiv dhe ai objektiv është titulli kampion!”. Flamurtari është i paralajmëruar.

Duro është trajneri i dytë i epokës Zeqo, pasi presidenti i bardhekuqve ka shkarkuar pak orë para emërimit të ish-trajnerit të Partizanit njeriun që i besoi projektin e tij, Shkëlqim Muçën. Por, duke qenë se mes tij dhe Muçës u krijuar një hendek i madh, Zeqo vendosi të ndryshojë për të mos humbur shpresat dhe për ta sjellë në Korçë që këtë sezon titullin kampion, atë titull që është fituar për herë të parë dhe të vetme në vitin e largët 1933.

Presidenti Zeqo i ka besuar aftësisë së Duros për të menaxhuar lojtarët, pasi ish-trajneri i Partizanit dhe Besës ka bërë një paraqitje vërtet dinjitoze me këto dy skuadra. Nëse me të kuqtë nuk arriti të qëndrojë në superiore, ndonëse zhvilloi lojëra të jashtëzakonshme me një grup të panjohur lojtarësh, me Besën arriti të fitojë brenda një edicioni Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, duke u bërë kështu trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit verdhezi. Kjo CV e rezultateve të mira në sezonet e fundit, e ka bindur Zeqon që t’i besojë Duros stolin e Skënderbeut milioner. “Është padyshim një përgjegjësi e madhe. Jam i nderuar që do të drejtoj këtë skuadër që ka lindur nga dëshira e madhe për të sjellë në Korçë titullin kampion. Unë besoj se Skënderbeu do të jetë në gjendje ta përballojë siç duhet Flamurtarin. Rivali është vërtet i vështirë, sepse ka edhe diferencën e pikëve në favor, por unë besoj se do të dimë t’ia dalim mbanë, por më parë më duhet të stërvitem me grupin”, është shprehur në prononcimin e tij të djeshëm trajneri i ri i Skënderbeut, që ka drejtuar Besën në këtë sezon deri në javën e 4-ët të kampionatit.

Vlonjatët do të zbresin në fushën e stadiumit “Skënderbeu” në orën 18:00 të ditës së hënë, për të luajtur përballjen që do të përcaktojë shumë në ecurinë e titullit kampion. Në rast fitoreje të kuqezinjve, hendeku do të thellohej në 10 pikë, ndaj korçarët nuk mund ta lejojnë diçka të tillë, por të bëjnë çmos që ta reduktojnë diferencën në 4 pikë, që do t’i rifuste ata zyrtarisht në luftë për titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›