Muça kundër kurtheve të Karishikut
Shkëlqim Muça, trajneri i ri i Dinamos, është para një testi besimi në sfidën e tij të parë para tifozëve të kampionëve në fuqi, jo vetëm për të dëshmuar aftësitë e tij si një trajner me mentalitet kampioni (ka fituar tre tituj me Tiranën), por dhe për ta ndalur “galopimin” madhështor të Apolonisë, që zbret nga ana e saj në kryeqytet pas katër fitoreve rresht.
17-herë kampionët e Shqipërisë vijnë në përballjen me Apoloninë pas dy humbjeve rresht në derbit e kryeqytetit, ku ajo me Partizanin i kushtoi edhe vetëlargimin e detyruar Zlatko Daliçit, trajnerit të fundit kroat që kishte mundur të mbijetonte në kampionatit shqiptar.
Dinamo-Apolonia është një sfidë shumë tërheqëse në letër, pasi përballen, përveç shkollës shqiptare të futbollit, dhe dy nga më të mëdhatë e Ballkanit. Dinamo ka nuanca kroate, ndërsa Apolonia ka një ngjyrim serb, pasi përveç trajnerit Esad Karishik te fierakët luajnë edhe gjashtë futbollistë serbë, të cilët janë dhe çelësi i suksesit të këtij ekipi. Karishik drejton Apoloninë që nga java e 10-të, duke koleksionuar pesë fitore, 1 barazim e katër humbje.
Portieri elbasanas i Dinamos, Elvis Kotori, në prononcimin e tij për shtyp vlerësoi aftësitë e Shkëlqim Muçës s’i trajner. “Është trajner i mirënjohur dhe i sprovuar në futbollin shqiptar. Grupi ynë ka besim se debutimi i Muçës do të jetë i suksesshëm. Një rezultat tjetër negativ do të ishte fatal për ne. Ardhja e tij shihet si një mundësi për të marrë titullin kampion”.
Dinamo ndodhet tetë pikë larg Vllaznisë dhe shtatë ndaj Tiranës së vendit të dytë. Për sfidën kundër Apolonisë te Dinamo do të mungojë kapiteni Pisha (i dëmtuar), por dhe shqiptaro-kroati Pllumb Jusufi (ndodhet në spital për shkak të operacionit në apandesit).
Java 20, “bilbilat” mes polemikave dhe shifrave
Kategoria Superiore do të luajë të dielën javën e 20-të të saj (14:30), ku spikasin debutimet e Shkëlqim Muçës në stolin e Dinamos dhe Faruk Sejdinit në atë të Elbasanit, në sfidat delikate respektivisht me Apoloninë dhe Vllazninë.
TEUTA-LUSHNJA
Lorenc Jemini është “xhaketa e zezë” e këtij takimi. Gjyqtari tiranas ka drejtuar 11 ndeshje këtë sezon, së fundi Vllaznia-Besa (4-1). Vetëm 1 herë e ka drejtuar Teutën në fitoren 1-0 me Bylisin, takim shumë i kontestuar nga ballshjotët, pasi goli i durrsakëve u shënua me penallti, ndërsa Bylis u ndëshkua me karton të kuq. Edhe Lushnjën, Jemini e ka drejtuar vetëm një herë, pikërisht në javën e parë të kampionatit në humbjen 0-1 me Partizanin.
ELBASANI-VLLAZNIA
Artan Taullau është “bilbili” i sfidës së nxehtë të javës së 20-të. Tetë ndeshje ka gjykuar arbitri tiranas këtë sezon, ku e fundit është Partizani-Dinamo (1-0). Taullau e ka drejtuar 1 herë Elbasanin në humbjen 0-1 në “Ruzhdi Bizhuta” me Teutën. Vllaznia ka pasur fatin të gjykohet dy herë nga Taullahu, në fitoren 1-4 me Lushnjën në “Roza Haxhiu” dhe 2-1 me Partizanin në “Loro Boriçi”.
BESA-TIRANA
Sokol Cekaj është i “gjykatësi” i ndeshjes Besa-Tirana, një ndeshje shumë e rëndësishme për dy ekipet që ndajnë vendet 2-3. Nëntë ndeshje të gjykuara këtë sezon ka në llogarinë e tij laçjani. Një herë e ka gjykuar Besën në barazimin 0-0 me Partizanin në Kavajë. Tiranën e ka drejtuar tri herë: Teuta-Tirana (0-1), Shkumbini-Tirana (0-0) dhe Tirana-Lushnja (1-0).
SHKUMBINI-PARTIZANI
Tanush Latifi është “prokurori” i ndeshjes, ndoshta më “problematike” të kësaj jave, parë dhe ecurinë e Partizanit në ndeshjet e fundit, por dhe klimës jo shumë miqësore që ekziston në Peqin ndaj të kuqve. Shtatë ndeshje ka gjykuar këtë sezon Latifi. Çuditërisht edhe në fazën e parë ka drejtuar ndeshjen Partizani-Shkumbini (0-2), në të vetmin rast kur ka drejtuar njërin apo tjetrin ekip. Katër kartonë të verdhë dha Latifi në atë takim të vendosur nga golat e Rizvanollit (16’) e Norës (63’).
DINAMO-APOLONIA
Ndërkombëtari Albano Janku është gjyqtari i rënë nga shorti për sfidën e parë e të trajnerit Shkëlqim Muça në drejtimin e Dinamos. Gjyqtari i FIFA-s, Janku, e ka drejtuar 12 takime gjatë këtij sezoni nga 19 të mundshmet. Dy herë e ka drejtuar Dinamon: në barazimin 0-0 me Teutën (java 1) dhe në fitoren 4-2 me Besën (java 14). Janku ka qenë i mbarë për Apoloninë. Dy herë e ka gjykuar skuadrën fierake në dy ndeshje të fituara me Partizanin: 0-1 në Tiranë dhe 3-1 në Fier.
BYLIS-FLAMURTARI
Elvis Peza është i “bekuari” i këtij takimi, edhe pse ditë më parë Flamurtari guxoi të kërkonte dhe gjyqtar të huaj. Tetë ndeshje të gjykuara nga tiranasi Peza në këtë edicion. Bylisin e ka drejtuar vetëm një herë në humbjen 3-0 me Besën (java 13), ndërsa Flamurtarin e ka gjykuar dy herë: Teuta-Flamurtari (1-0) dhe Flamurtari-Lushnja (2-0).
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XX
15 shkurt 2009
Teuta-Elbasani (L.Jemini)
Elbasani-Vllaznia (A.Taulla u)
Besa-Tirana (S.Cekaj)
Shkumbini-Partizani (T.Latifi)
Dinamo-Apolonia (A.Janku)
Bylis-Flamurtari (E.Peza)
(Ndeshjet fillojnë në orën 14:30)
KATEGORIA E PARË
Skënderbeu kërkon fitore në përurimin e stadiumit
Kategoria e Parë do të zhvillojë të shtunën shtatë nga tetë ndeshjet e javës së 17-të të saj, me përjashtim të supersfidës Gramozi-Dajti, që do të luhet ditën e diel (14:30, gjykon Enea Jorgji). Skënderbeu kryesues (36 pikë) do të presë Skraparin (vendi i dhjetë), takimi i parë në shtëpi për trajnerin Indrit Fortuzi, do të gjykohet nga Mirush Metohia. Takimi Ada-Laçi (vendi i dytë) do të gjykohet nga Breshani, Turbina-Tërbuni i është besuar vlonjatit me eksperiencë Arianit Lulaj. Migen Masha është gjyqtari i takimit Sopoti-Kastrioti. Në takimin Besëlidhja-Bilisht Sport bilbil është Emirjon Sino. Pogradeci-Burreli si gjyqtar ka Pajtim Lapin. Naftëtari-Luftëtari, dy ish-ekipe të lavdishme, është në gjykimin e Labjon Mustafaraj.
Kategoria e Parë
JAVA 17
14 shkurt 2009
Turbina-Tërbuni (A.Lulaj)
Sopoti-Kastrioti (M.Masha)
Skënderbeu-Skrapari (M.Metohia)
Besëlidhja-Bilisht S. (E.Sino)
Ada-Laçi (B.Breshani)
Pogradeci-Burreli (P.Lapi)
Naftëtari-Luftëtari (L.Mustafaraj)
15 shkurt 2009
Gramozi-Dajti (E.Jorgji)
(Ndeshjet fillojnë në orën 14:30)
14 Shkurt 2009