Inter-Milan, 100 vjet spektakël
E diela mund të vendosë fatet e Serisë A. Një fitore e Interit kryesues ndaj Milanit mund të mbyllë kampionatin italian, pasi do t’ua bënte më të lehtë rrugën zikaltërve drejt titullit të tretë rresht në kampionat, pa llogaritur atë në tavolinë. Supersfida Inter-Milan i ka kaluar kufijtë e Italisë dhe ka marrë ngjyra ndërkombëtare. Ndeshja do të transmetohet edhe në Angli (BBC 3), por dhe në kanale të tjera të rëndësishme, si Al Jazeera e Kanal Plus. Inter-Milan do të transmetohet edhe në Izrael, Rusi, Argjentinë, Brazil, Kolumbi, Shtetet e Bashkuara, në Amerikën e Jugut, Japoni, Hong Kong dhe në të gjithë Afrikën. “San Siro” është e shitur plotësisht, ndërkohë që dy trajnerët, Murinjo e Ançeloti, përgatisin detajet e fundit të përballjes së 270-të midis Interit dhe Milanit. E para është luajtur 100 vjet më parë. 18 tetor 1908. Kjo është data e ndeshjes së parë historike midis Interit dhe Milanit. Ishte një ndeshje miqësore. Që nga ajo kohë janë luajtur 269 të tillë në të gjitha kompeticionet italiane dhe ato ndërkombëtare.
10 janar 1909. Milani dhe Interi përballen në eliminatoret rajonale të kampionatit të dymbëdhjetë të futbollit. Derbi i parë është fituar nga kuqezinjtë: 3-2 ka qenë rezultati final me gola të Treres, Lanës dhe Laik për Milanin. Interi ka gjetur rrugën e golit me anë të brazilianit Gama dhe zviceranit Shuler. Interi do të hakmerrej në sezonin pasardhës duke fituar dy takimet derbi 5-1 dhe 5-0 dhe duke fituar kampionatin kundër Pro Verçelit, që në finale ka futur në fushën e lojës skuadrën e të rinjve, në shenjë proteste kundër Federatës.
Sfidat midis Interit e Milanit kanë prodhuar gjithmonë një bollëk golash. Më 6 nëntor 1949 ndeshja ka mbaruar 6-5 për Interin. Përballje emocionuese, ndeshje spektakolare: plot 11 gola.
Goli më i shpejtë është shënuar nga Macola më 24 shkurt 1963 (1-1) vetëm pas 13 sekondash. Pas tij vjen Altafini, që më 26 mars 1961 ka realizuar pas 20 sekondash, duke i siguruar fitoren Milanit, bashkë me Liedholmin (2-1). Altafini është edhe i vetmi lojtar në historinë e derbit që ka shënuar 4 gola: 27 mars 1960, 5-3 për Milanin.
Është e vërtetë, përballjet derbi nuk mbarojnë kurrë. Janë të shumta sfidat që janë vendosur në minutat e fundit. Në vitin 2005 Adriano ka shënuar në minutën e 93-të golin e fitores (3-2 për Interin), ndërsa një vit më parë kishte qenë Sedorf ai që i kishte dhënë fitoren Milanit, gjithmonë me rezultatin 3-2, katër minuta para fundit. Në minutën e fundit Piero Trapaneli ka sigluar rezultatin 2-2 për Milanin më 7 qershor 1942: maksimumi për një debutues me fanellën kuqezezë. Tre derbi janë vendosur në minutën e 89-të: ka ndodhur në vitin 1979 me milanistin De Veki, që ka shënuar golin e barazimit 2-2; në vitin 1981 i ka ardhur radha Bergomit në Kupën e Italisë të realizojë golin e 2-2-shit për Interin, ndërsa Masaro në vitin 1994 i ka dhuruar fitoren Milanit me shifrat 2-1. Pesë minutat e fundit kanë qenë vendimtarë për Milanin Bigon në vitin ‘71 (2-3), Verza në ‘85-n (1-2) dhe, në të njëjtin vit në Kupën e Italisë, Ikardi (2-2), Virdis në ‘85-n (1-2).
11 maj 2001. Milani fiton në “shtëpinë e zikaltërve jo pak, por 6-0, njëherësh edhe fitorja më e thellë në historinë e kësaj sfide. Protagonisti i befasishëm i ndeshjes ka qenë Xhani Komandini (2 gola), ashtu si Shevçenkos (po dy gola), më pa erdhën firmat e Xhuntit dhe Serxhinjos.
Sulmuesi brazilian i Interit, Adriano, e dëshiron shumë një gol në derbin kundër Milanit, madje atë që do të vendosë dhe fatin e takimit. “Grumbullimi me Kombëtaren më ka karikuar shumë. Nuk ndihem i lodhur, edhe pse kam dhënë maksimumin dhe kam akoma kohë për të rikuperuar energjitë para së dielës”, - ka thënë Adri. Dhe për ta karikuar më shumë ka menduar vetë Dunga. “Pres një gol në derbi nga ti”, - ka qenë kërkesa që trajneri i Seleçaos i ka bërë “Perandorit”. Edhe Murinjo pret nga Adriano, duke qenë ai mbështetësi më i madh i brazilianit shpeshherë problematik dhe në prag të largimit. Për Bekamin ky është derbi i parë, por personazhi “VIP” pritet të jetë sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimoviç. “Interi është një skuadër e kompletuar, shumë e fortë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj një sulmuesi të madh si Ibrahimoviç, një lojtar që mund t’i zgjidhë ndeshjet i vetëm dhe që bën diferencën”, - tha mbrojtësi i Milanit, çeku Marek Jankulovski. “Shpresojmë të paraqitemi në këtë përballje në gjendje sa më të mirë dhe që të gjithë lojtarët që kanë luajtur me kombëtaret të kthehen pa probleme fizike për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen”, - ka thënë Jankulovski, që më pas ka folur për Devid Bekamin. “Na ka ndihmuar shumë. Ka treguar karakter dhe një dëshirë të madhe për të luajtur”, - përfundoi mbrojtësi milanist.
Te Interi do të mungojë Maikon. Braziliani pësoi një dëmtim gjatë provave taktike për derbin milanez, për shkak të një problemi të muskujve në kofshën e djathtë. Maikon, një lojtar kyç për trajnerin Murinjo, mund të humbasë edhe ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Mançester Junaitid, në program më 24 shkurt në “San Siro” dhe më 11 mars në “Old Traford”.
Ky mund të jetë derbi i fundit për legjendën e Milanit, Paolo Maldini. “Besoj të ringjitja drejt titullit; ky do të jetë për ne një sfidë e thatë dhe Milani ia del gjithmonë në takime të rëndësishme. Tetë pikë distancë nga Interi janë shumë, por kemi pasur një fillim shok kampionati e shumë dëmtime, megjithatë, kemi bërë hapa të mëdhenj në raport me vitin e kaluar. Është një sezon pozitiv dhe me fitimin e titullit do të ishte i jashtëzakonshëm”.
14 Shkurt 2009