E Diel, 1 Nëntor 2026

Muçaj: Kontrolle rigoroze ndaj ndërtimeve pa leje, certifikata e përdorimit bëhet kusht

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Qeveria po forcon kontrollin mbi ndërtimet e paligjshme dhe masat e disiplinimit në territorin e vendit.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat bëri të ditur se Akti Normativ në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” parashikon masa të reja për të garantuar respektimin e ligjit në ndërtim, mbrojtjen e interesit publik dhe harmoninë urbane.

Muçaj theksoi se ndërhyrjet e paligjshme dhe të pakontrolluara kanë krijuar dëme ekonomike dhe sociale, duke cenuar mjedisin, pronën private dhe rendin urban.

“Ndryshimet ligjore, që propozohet të miratohen me akt normativ, synojnë lirimin e menjëhershëm të hapësirave publike, duke i kthyer ato në funksion të qytetarëve dhe të komunitetit; ndalimin efektiv të ndërtimit pa leje përmes forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe vendosjes së sanksioneve të qarta; dhe rikthimin e territorit në një ambient të shfrytëzueshëm e të rregullt, në përputhje me planet urbanistike dhe projektet e miratuara zyrtarisht”, deklaroi Muçaj.

Ndryshimet e reja, vijoi ajo, vendosin detyrimin që certifikata e përdorimit e një ndërtese të jepet vetëm pasi të jenë kryer të gjitha kontrollet dhe verifikimet nga autoritetet vendore dhe arkitektët mbikëqyrës.

Sipas zëvendësministrës, po ashtu do të ndalohet lidhja e kontratave për energji dhe ujë pa dokumentacion të rregullt, duke krijuar një mekanizëm të qartë pengues ndaj veprimtarisë së paligjshme.

“Ndryshimet synojnë përcaktime më të qarta për fazat e kontrollit, duke i ndarë qartë fazat e kontrollit gjatë gjithë periudhës së zbatimit të punimeve, me qëllim shmangien e abuzimeve e të devijimeve nga projektet e miratuara; formalizimin e mënyrës së njoftimit, duke vendosur rregulla të detajuara për njoftimin e institucioneve përgjegjëse dhe autoriteteve mbikëqyrëse përpara fillimit të çdo lloj punimi, në mënyrë që procesi të jetë i gjurmueshëm dhe i dokumentuar; rritjen e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese të arkitektëve të projektit në procesin e mbikëqyrjes, duke garantuar që punimet të kryhen sipas standardeve dhe projekteve të miratuara zyrtarisht, si dhe duke minimizuar shmangien nga projektet e miratuara”, u shpreh Muçaj.

Sipas saj, arkitektët dhe inspektorët do të raportojnë çdo shkelje në sistemin e e-Leje, duke siguruar që të gjitha fazat e ndërtimit të jenë të kontrolluara dhe të ligjshme.

Akti Normativ, tha më tej zëvendësministrja, synon të mbrojë pronarët e ligjshëm, të garantojë vlerën ekonomike të investimeve dhe të shmangë pasoja të rënda për qytetarët dhe hapësirat publike.

Zëvendësministrja Muçaj nënvizoi se kontrolli i ri është një hap i domosdoshëm për disiplinimin e ndërtimit dhe për garantimin e interesit publik në të gjithë territorin e Shqipërisë. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›