Salla: Digjitalizim verifikimit të produkteve për rritjen e eksporteve

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për të forcuar konkurrueshmërinë e sektorit agro-ushqimor dhe për ta përgatitur atë drejt tregjeve evropiane dhe globale.
Në Tiranë u zhvillua sot Forumi i 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, ku u theksua rëndësia e cilësisë dhe gjurmueshmërisë si çelës për suksesin në eksport dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se Shqipëria po kalon nga politikat në veprim, duke punuar për digjitalizimin e verifikimit të produkteve shqiptare. “Gjurmimi është pasaporta digjitale e fermerit shqiptar drejt konsumatorit europian”, u shpreh ai, duke nënvizuar se transparenca dhe origjina e produkteve janë garanci për hyrjen në tregun unik të BE-së.
“Në kuadër të negociatave për kapitujt 11 dhe 12, po hartojmë masa fiskale dhe financiare mbështetëse për fermerët, për të përshpejtuar transformimin drejt: dixhitalizimit të proceseve të certifikimit; pilotimit të teknologjive të monitorimit dhe forcimit të bazave të të dhënave kombëtare. Transformimi që po ndjekim është ambicioz, por i domosdoshëm dhe kërkon bashkëpunim kombëtar për ndërtimin e një sistemi të vetëm ku të dhënat lëvizin me siguri e integritet nga ferma deri në kufirin europian”, tha Salla.E pranishme në këtë takim Ambasadorja Ruth Huber theksoi se cilësia nuk është thjesht kërkesë teknike, por themel i besimit mes prodhuesve shqiptarë dhe konsumatorëve evropianë. Ajo shtoi se Zvicra do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në përafrimin e standardeve me legjislacionin e BE-së.
Në këtë kuadër, Universiteti Bujqësor i Tiranës po finalizon një program të ri master shkencor për standardet dhe sistemet e cilësisë. Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku e përshkroi këtë nismë si një hap strategjik për përgatitjen e specialistëve që do të udhëheqin transformimin e sektorit bujqësor.
Kryetari i KASH-it, Agim Rrapaj, theksoi nevojën për bashkëpunim mes sektorit publik dhe privat për të garantuar cilësinë dhe sigurinë ushqimore, me objektivin që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030.
Forumi, i zhvilluar paralelisht me Kongresin e 5-të të KASH-it, mblodhi përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojat dhe prioritetet për ngritjen e një infrastrukture të fortë cilësie që do të lehtësojë eksportet dhe integrimin ekonomik të vendit në Evropë. e.xh/j.p/