Muhameti: Më lini të qetë deri në vendimin e Thaçit

Pas zhvillimeve më të fundit në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Dragash (Sharr) dhe insinuatave të krijuara, diplomati në Ambasadën e Republikës se Kosovës në Romë, Arben Muhameti e ka parë detyrim të sqaroj pozicionin e tij, pasi sipas tij ka spekulime rreth emrit të tij si kandidat i PDK-së për kryetar të Sharrit.
“Të shtunën, këtu në Romë, ku ushtroj detyrën e diplomatit ne Ambasadën e Republikes se Kosovës, informohem nga disa portale dhe më pastaj edhe nga disa miq për situatën e krijuar në një takim që ka zhvilluar kryetari i Partisë dhe Kryeministri i vendit me strukturat lokale dhe ku si rezultat ndër të tjera nga disa individë lokal është përfolur (më mirë të themi është anatemuar) edhe emri im si kandidat i mundshëm për kryetar komune në zgjedhjet lokale të këtij viti”, ka thënë Muhameti në një letër që i derguar portalit Indeksonline.
Ai konsideron se emri i tij si njëri prej kandidatëve ka qarkulluar prej shumë kohësh në opinion dhe është si propozim fillestar që ka dalë nga intelektualë te rajonit nga ku vjen, të afërt me PDK-në (dhe jo vetëm) që jetojnë dhe veprojnë në Prishtinë.
“Për të gjitha këto dhe të trembur nga mbeshtetja, individë të caktuar kanë filluar prej disa muajsh intrigat , spekulimet e dezinformatat kundër personit tim duke u përpjekur të më ulin kredibilitetin dhe denigrojnë në sytë e elektoratit dhe në Prishtinë para Zyrtarëve të Lartë Partiak dhe Shtetëror me shpifje e sajesa pafund. Edhe përpjekja e së shtunës është në të njëjtën frymë ku u munduan me një stil hileqar dhe të ulët dhe në mungesën time të me vënë në pozita kundërthënëse me shefin e Partisë dhe Kryeministrin e vendit, duke më mveshur fjalë të pavërteta dhe gjëra që nuk qëndrojnë”, thotë Muhameti.
Diplomati Muhameti, thotë se kultivon respekt të jashtëzakonshëm për Kryeministrin Thaçi dhe i është mirënjohës për gjithë mbështetjen që i ka dhënë gjatë këtyre viteve. Por, sipas tij përpjekjet e tilla të ulëta, siç thotë ai, për ta kompromentuar, të orkestruara nga drejtues të degës dhe të realizuara nga provokatorë të vjetër në zanatin e tyre, i përbuz me neveri.
“I di shumë mirë procedurat e nominimit dhe vendimmarrjen partiake dhe kur ta shihnim të nevojshme, brenda afateve dhe me modesti do të kërkonim natyrshëm miratimin formal për kandidaturën. Parimisht kam qenë dhe jam për nderrimin gradual të gjeneratave dhe kufizimin e mandateve në pushtetin lokal, për arsyen e thjeshtë se në të gjitha rastet rrezikohet fitorja, pasi me gjithë sukseset e arritura në qeverisje, amortizimi, konsumimi dhe apatia që krijohet nga udheheqja e gjatë e një individi apo grupi,është e pashmangshme”.
Muhameti thotë se ka pezulluar të gjitha funksionet politike dhe partiake që ushtron, në tetor të vitit 2009, pasi u emërua diplomat në shërbimin e jashtëm të Kosovës. “Vazhdoj të mos jem aktiv në struktura dhe politiken ditore derisa ushtroj funksionin aktual. Dhe në respekt të kësaj më është dashur që të mos jem prezent në media, dhe në tubimet e hapura dhe publike”.
Megjithëkëtë, Muhameti thotë se po pret në qetësi të plotë zyrtarizmin dhe certifikimin e kandidaturave për kryetar komune,dhe se çfarëdo vendimi nga kryetari i Partisë, Hashim Thaçi është i padiskutueshëm dhe i pranueshëm. “Deri në atë kohë, ju lutem të gjithëve të më mirëkuptoni për situatën në të cilën ndodhem dhe mundësisht të mos merreni dhe të mos thirreni në emrin tim”, përfundon diplomati Arben Muhameti. /Indeksonline/