E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muharrem Fejzo: Momentet e fundit të Sandër Prosit para vdekjes

Në prag të 80 vjetorit të kineastit

Muharrem Fejzo dhe arti i shtatë

pranvere e hidhurMuharrem Fejzo është një nga pionerët e parë të kinematografisë shqiptare dhe përfaqësues i asaj gjenerate që krijoi fytyrën e kësaj kinematografie në ditë të vështira, në ditë censure, frike dhe diktati të politikës mbi artin, por që sidoqoftë, ishin ata që krijuan vlera të tilla artistike në këtë art sintezë, të cilat mbeten në historinë e kinemasë shqiptare. Fejzo është një nga ata pinjollë të pasionuar të artit të shtatë (kinematografisë) që si teknikë u bë e njohur me vëllezërit Lumières në Bulevardin e Kapuçinëve në Paris, por që u kthye në art nga një plasticien, nga një njeri imagjinar, piktor e dekorator siç ishte Georges Meliés, autori i filmave që imagjinonte që në vitet e para të shekullit XX udhëtimin e njeriut në hënë. E pra dhe Fejzo të kujton Meliés, pasi ky artist erdhi nga artet figurative, nga piktura, skuptura, dekori dhe që si grimior e më pas regjisor teatri, më vonë ai do ti hynte krijimit të filmave si regjisor. Dhe frut i asaj pune shumëvjeçare janë filma si Mësonjëtorja, Kapedani(bashkë me regjisorin F. Hoshafi), Një emër midis njerëzve, Gunat përmbi tela, për Luftën e Vlorës, etj, etj. krijime ku pulson jo rrallë poetika e kuadrit, simbolet dhe metaforat filmike, gjithçka që dëshmon për një gjuhë filmi që shkruhej nga një dorë mjeshtri. Në pragun e vitit të 80-të të jetës së tij, ai po përfundon dhe kujtimet e tij mbi jetën në kinematografi, episode që tregojnë se çishte filmi dekada më parë, çdo të thoshte çenzurë, frikë nga pushteti, zhgënjimi, dhe çishte solidariteti i kineastëve në mbështetje të njëri tjetrit. Një jetë e shkruar me modesti, por dhe dhimbje për ato të pathëna, e zhgënjime ëndrrash për të krijuar vepra të lira dhe të pa imponuara, pasi ai e ka titulluar dorëshkrimin e tij thjesht: Të pathënat e filmit. Për ne që e kemi njohur atë shpirt të butë që revoltën e mbante brenda, njeriun që shikonte gjithnjë nga Perëndimi dhe e drejta, ky kineast përmban një piketë të atij rrugëtimi të artit të shtatë Por le ti japim lexuesit disa pasazhe nga dorëshkrimi i tij për të na futur në një kohë kur ishte tepër e vështirë, në mos e pamundur të ishe i lirë në art.  (Luan Rama)

 Sander Prosi 2… Ditët e para të marsit 1985, po shkonin rrokopujë. Problemet ngërtheheshin kohë pas kohe. Asistent regjisorët që nuk ishin caktuar  ende. Aktorët e teatrit të Elbasanit, nuk po dukeshin gjëkundi. Zënkat në grup, për tia hedhur fajin njërit apo tjetrit, mangësitë dhe gjendja e përgjithshme e klimës politike tejet e tkurur, varfëria e skajshme anë e kënd, e ndrydhnin Sandrin në një vetmi plagëçjerrëse. Uleshim në një qoshe të errët të Vollgës për të pirë kafe. Cigaret që pinte ishin te panumurta. Megjithëse kishte studiuar për stomatollogji në Austri, dhëmbët e tij ishin zverdhur: – Kafeja pa duhan, është si turku pa iman më thoshte ai duke vështruar cigaren D.S., zjarri i të cilit  kishte prekur thonjtë e nxirë nga nikotina. Rrudhat dalëngadalë po mënjanoheshin, duke i lënë sytë të lirë, të qeshur, si dikur në orët e mësimit të mjeshtërisë aktorit. Ajo që e trembte më shumë se çdo gjë ishte marrëdhënia me shtetin partiak dhe varfëria. (Merreni me mend, më kujtohet kur do të shkonin me një delegacion aktorësh në Paris, së bashku  me Demir Hyskjen. Ai nuk kishte as pardesy për të qenë. I dhashë timen që sapo ma kishin sjellë motrat nga Italia. I rrinte ngushtë, por nuk kishte tjetër).
Them me vete, i dashur Remë, – vazhdoi ai, – mos po kërkoj si shumë? More le të më japin ushqimin, cigaret dhe kafetë dhe le të mos më japin rrogë por kam dy djem për të rritur dhe arsimuar. Dikur nxirrja ndonjë lek duke luajtur me kitarrë, fizarmonikë, violinë, me ndonjë orkestër të improvizuar.
Pas pak buzëqeshi: Hë! Ashtu si ty, më ka pëlqyer muzika dhe instrumentat që në fëmini, dhe pastaj, tundte kokën me sytë ngushtuar midis rrudhave gjysëm të mbyllur duke ndjekur fjollën e duhanit që i përkëdhelte fytyrën e tij zeshkane e vinte erë athëtije kashte të djegur. Trishtimi lodronte në mikrofizionominë e tij. Vetullat, herë ngërtheheshin e herë çliroheshin nga një buzëqeshje çlodhëse. Shkundi me nervozizëm hirin e duhanit, e pastaj, me gishtin tregues e dërmoi në take tuke, a thua se shkarkoi aty gjithë mllefin ndaj vetvetes: pazotësinë për të reaguar ndaj asaj që mbante në atë trup të drobitur nga e pathëna. Kishte një fobi për çdo gjë: nga vështrimet e njerëzve, nga ajo që thoshte, nga ajo që dëgjonte, nga mendimet e tij që i vërtiteshin si një shtjellë e zjarrtë që digjte gjithë kënaqesitë e të shprehurit lirshëm të ideve dhe shqetësimeve. Ndaj fliste ngadalë, shtruar, duke gërmëzuar çdo fjalë, çdo mendim. E hamendësoja  gjithë vëllimin e asaj që nuk e thoshte, si një lëmsh i hidhur brenda trupit, dhe trurit, që gllabëronte çdo ditë troje të qënies së tij deri aty sa gëlltiste çdo mendim që mund ta dëmtonte politikisht. Frymëmarja e tij e shkurtër, shkaktuar nga katrami i duhanit tregonte një mbilodhje fizike. Ndaj, vendosa që mizansenat e tij ti bëja vetë.
Më 23 mars përgatitëm shkollën 29 Nëntori, sipër bibliotekës qytetit. Xhiruam çishte e mundur të xhirohej me aktorët e porsa ardhur Ariana Musabelliun dhe Benon Lapari nga teatri i Elbasanit. Mbas dite, bashkë me Nadin, time shoqe, shetitëm gjatë në shëtitoren buzë detit. Sandri shpesh, ishte mbresëlënës me atë humorin e tij të hollë e plot kuptim. Nuk ndejti gjatë. Do të iki tha – se nesër në mëngjes, ky burri yt, na do të përgatitur. E ka qef korrektesën, apo jo? -  Ktheu kokën nga unë, buzëqeshi, dhe u largua drejt mesores  së hotelit, me atë hapin e qetë, duke u lëkundur lehtas.
Mëngjesi i 24 marsit, ishte i ftohtë dhe i lagësht. Ishte e diel. Frynte erë veriore dhe lëkura e detit gri ishte kreshpëruar. Shkurret buzë bregut përkuleshin e fishkëllenin. Për mua ishte kohë ideale për krijimin e atmosferës të asaj që do të ndodhte. Çunat e teatrit Skampa të Elbasanit ishin gjithë qef që do të fillonin xhirimet. Sandri i veshur me një pardesy të bardhë, shalli i madh rreth qafës, syze, mustaqe të shkurtëra dhe me atë kapelen me strehë të gjëra, të krijonte përfytyrimin e Marubit. Bukur. Ashtu, tek po vinte duke iu ruajtur erës që kërkonte ti rrëzonte kapelen dhe ngritur përpjetë kindet e pardesysë, mu duk i shpërqëndruar, disi i zymtë, si të kishte sjellë me vete retë e rënduar të perëndimit. Ishte brenda rolit të tij. I thashë Gavroshit të xhirojë. Kur e pa figurën e Sandrit të përlarë nga era, ai buzëqeshi i kënaqur dhe:
- Kamera!
Sandri, ky aktor mahnitës, e nuhati që po xhirohej. Kishte një intuitë krijuese për ta patur zili. Afrohet ne plan amerikan (deri te gjunjët), vendos dorën strehë mbi sy dhe vështron qiellin e murrmë me retë që arratiseshin drejt jugut. Diçka bëlbëzoi. Çfarë i foli qiellit të rënduar. Vetëm ai e di. Mos vallë i trokiti yllësisë pa fund?
Stop… Shkëlqyeshëm Sandër!
 I futa krahun dhe e shtrëngova në gjoks. Trupi iu drodh një çast. Fytyra iu ngjeth dhe mori frymë thellë. Pasoi një kollë e thatë që ia përzhiti fytyrën. E lashë të qetësohet, dhe i thashë Vangjelit, nëndrejtorit të grupit, të merte një çaj. Ai më ndaloi me dorën në sup. Kalon, kalon… nuk ka nevojë.  
 U nis të iki nga sheshi i xhirimit.  
Sandër. i thashë i shqetë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›