E Diel, 1 Nëntor 2026

Myftiu i Lushnjës: Vrasja e vjehrrit ishte një mesazh për mua

Pistat e hetimit, dyshohet konkurrencë mes dy sekteve  

MYFTIU I LUSHNJES Tomorr BoriciLushnje/Myftiu i Lushnjës, Tomorr Boriçi, 24 orë pas arrestimit të autorit të vrasjes së Shemsi Muçës në ambientet e xhamisë së Dushkut, ka deklaruar për mediat se vrasja e dyshimtë e vjehrrit të tij, ishte një mesazh i qartë për vetë atë dhe familjen e tij. Për të sqaruar disa nga rrethanat e ngjarjes myftiu i Lushnjës ka deklaruar se viktimë e autorit mund të ishte dhe ai vetë, pasi mesazhi i vrasjes ishte për të.
Deklarata
Jemi vrarë dy herë, një herë si besimtarë dhe një herë si institucion. Falenderojmë policinë për punën e bërë. Viktima ishte vjehrri im, por mesazhi ishte për mua si qytetar, si besimtar dhe si myfti, ka deklaruar ditën e djeshme kryemyftiu i Lushnjës Boriçi, ndërsa nuk ka sqaruar arsyet se përse mesazhi i vrasjes përbën kërcënim për jetën e tij. Ai ka deklaruar dje mes të tjerash se kështu e kupton gjithë mesazhin e ngjarjes për shkak se autori u fsheh për 24 orë dhe se ai duket se ka ardhur nga Greqia enkas për të kryer vrasjen pak para Namazit të mesëm. Ndërkohë që nuk ka qenë frekuentues i xhamisë. Sipas myftiut këto dëshmi edhe të dhëna të tjera për bashkë fshatarin vrasës ai do ti raportojë në polici dhe prokurori.
Hetimet
Ndërkohë nga prokuroria e rrethit po hetohet edhe pista e konkurencës mes dy sekteve myslimane, dhe dyshohet që vrasësi të jetë i paguar për të vrarë Shemsi Muçën 86 vjeçarin që është gjetur gati i masakruar me thikë në brendësi të ambienteve të xhamisë se fshatit Dushk. Por këto të dhëna ende nuk janë konfirmuar nga policia, ndërsa edhe pas arrestimit të personit që ka pranuar vrasjen ende po hetohet nëse fshihet dicka tjetër pas kësaj ngjarjeje, apo Arjan Alla 38 vjeç e ka vrarë vjehrrin e myftiut të xhamisë vetëm për shkak të ndonjë konflikti momental. Muça është gjendur nga policia i pajetë i vrarë me thikë në fyt, ndërsa ashtu siç e do zakoni i fesë myslimane vrasësi e kishte kthyer viktimën jo nga ana që vendosen myslimanët kur ndërrojnë jetë por nga ana e kundërt nga perëndimi. Brenda 24 orëve nga vrasja e tmerrshme që tronditi mbarë opinionin publik në fshatin Dushk të Lushnjës policia arriti të zbulojë autorin e vrasjes. Ndërkohë policia ka marrë në pyetje edhe Xhelo Zeqirin personin që e ka gjetur viktimën duke dhënë shpirt dhe ka zbuluar njëkohësisht edhe vrasësin e vërtetë të 86 vjeçarit Shyqyri Muça. Ndërkohë edhe ditën e djeshme të afërmit e të moshuarit që u masakrua mizorisht brenda në xhami kanë qenë ende të shokuar nga ngjarja e rëndë dhe kanë kërkuar dënimin maksimal të autorit dhe zbardhjen e vërtetë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›