Përgjysmohet taksa e makinave, falen edhe vonesat
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje projektligjin që përgjysmon taksën vjetore për automjetet e përdorura. Përveç këtij lehtësimi Qeveria parashikon të falë edhe ata pronarë mjetesh, të cilët i janë shmangur pagimit të taksës.
Ulja e taksave
“Të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar ende taksën e mjeteve të përdorura, në momentin kur ligji është futur në fuqi, për ta do të mund të aplikohet taksa e re, formula e re, pra gjysma e saj çfarë kanë paguar deri më sot”, tha zëvendës ministri i Financave, Alfred Rrushaj. Gjithashtu deputeti demokrat Sherefedin Shehu propozoi që atyre t’u falen edhe penalitetet nëse e paguajnë taksën deri ne 30 qershor, një javë pas zgjedhjeve.
Vonesat
“Propozoj që të shtohet një fjali. Në rast se pagesa bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ata përjashtohen edhe nga penalitetet për vonesë në pagesë”, tha Shehu. Taksa vjetore për automjetet e përdorura u vendos nga Qeveria tre vjet më parë. Nga kjo taksë buxheti mbledh rreth rreth 5 miliardë lekë në vit.
Opozita
“Ne atëherë kemi qenë kundër dhe ju kemi thënë se po ndikoni drejtpërdrejt në buxhetet e ekonomive familjare. Me përllogaritjet e tre viteve, ju i keni marrë 7.5 miliardë lekë të reja familjeve shqiptare dhe vini dhe rrihni duart dhe bëni sikur këtë taksë e kemi vendosur ne dhe jo ju”, tha Brace. Opozita votoi pro ligjit në parim, por kundërshtoi nenin që amniston evazorët, pasi sipas tyre falja është e pamoralshme.
Shitja e tokës
Veç taksës së makinave, Komisioni hoqi dhe tatimin 10 për qind për shitblerjen e tokës bujqësore, një masë që sipas Qeverisë nxit tregun e tokës. Sipas Rushajt, në projektligj është saktësuar se sipërfaqja minimale e shitjes së tokës të jetë 1 mijë m2 dhe nuk duhet të ndryshohet destinacioni nga tokë bujqësore, për qëllime të tjera. Kjo nismë synon bashkimin e parcelave të tokave bujqësore për të rritur prodhimin, ndërsa fatura financiare e mbledhjes së këtij tatimi për vitin 2012 llogaritet të jetë 300 milionë lekë.