E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muho: Luftëtari, drejt realizimit të ëndrrës së madhe

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Drejtori ekzekutiv i gjirokastritëve, Qazim Muho, thotë se të gjithë treguesit flasin për një ekip, që do të jetë në superligë sezonin e ardhshëm

Para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, bëri të ditur se, deri të hënën, lojtarët e ekipit të tij dhe pjesëtarët e stafit teknik nuk do të prononcohen për shtyp. Madje, ai tha se ai që do të thyejë heshtjen, do të gjobitet. Po ashtu, trajneri Dede saktësoi se ndeshja me Ilirinë do të zhvillohet ditën e diel.

Muho Në ambientet e stadiumi Gjirokastra ishte dje i pranishëm edhe  drejtori ekzekutiv i Luftëtarit, njëkohësisht donatori kryesor pas bashkisë së qytetit, Qazim Muho, i cili ka theksuar se ekipi po e realizon ëndrrën këtë sezon: Fitorja me Besën ishte plotësisht e merituar dhe na bën më optimistë në përpjekjet tona për realizimin e objektivit për të luajtur sezonin që vjen në superligë.

Ekipi ynë tregoi se, kur angazhohet në shkallën e duhur, e arrin suksesin. Është sezoni i pestë radhazi ky që po tentojmë për të hyrë në superiore dhe të gjithë treguesit aty na çojnë. Treguesit flasin se ky objektiv do të realizohet patjetër këtë sezon, sepse ekipi drejtohet nga specialistë dhe njohës të thellë të futbollit, siç janë Nevil Dede, me një karrierë emblematike si futbollist, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Neritan Novi dhe Ilirjan Zeko, që janë tepër të përkushtuar.

Luftëtari ka futbollistë ndër më të mirët e kategorisë së parë, të cilët nisin me Devollin e Norën, për të vazhduar me plot të  tjerë, që nuk do ti përmend një nga një. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se puna që kanë bërë deri tani duhet të përfundojë me sukses të plotë. Gjirokastra ka pasur tradita në futboll dhe është momenti për ti ringjallur. Dhe kështu do të bëjmë.

Kemi bërë një investim relativisht të lartë për ta bërë realitet ëndrrën e madhe të tifozëve dhe simpatizantëve të Luftëtarit kudo që ndodhen. E dimë që në ndeshjet e mbetura do të hasim rezistencë të fortë, duke nisuar që me Ilirinë, me të cilën kemi ndeshjen e radhës,  por ekipi ynë i ka forcat të dalë ngadhnjimtar në to.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›