Berberi: Superliga më pranë, Vlorën e vlerësojmë si finale
Fitoret e fundit e bëjnë trajnerin Shahin Berberi të besojë se ekipi i tij mund të ngjitet direkt në superligë, madje edhe si kampion
Fitorja e fundit me Mamurrasin e ka shtuar optimizmin te skuadra kuksiane, që mban vendin e dytë. Kukësi, që debuton këtë sezon në kategorinë e parë, ka 6 fitore radhazi dhe po përgatitet për të 7-ën, pasi pret në fushën e tij Vlorën. Në një prononcim enkas për Sportin shqiptar, trajneri Shahin Berberi thekson se Kukësi është konsoliduar dhe se e meriton superligën.
Financat për këtë ekip kanë qenë të garantuara, falë treshes së presidencës Ramë Geci, Safet Gjici dhe Flamur Hoxha. Fitorja në Mamurras tregoi edhe një herë konsolidimin e skuadrës sime, që është dinjitoze edhe në transferta vendimtare. Kemi 6 javë që fitojmë dhe po përgatitemi për të marrë fitoren e 7-të radhazi me Vlorën këtë fundjavë, në stadiumin tonë.
Kundërshtari, pavarësisht se javët e fundit nuk është paraqitur mirë, është vlerësuar njësoj sikur të ishte në vend të parë. Ka në përbërje djem të rinj dhe me dëshirë, kështu që tek ne nuk ka vend për eufori. Mendojmë çdo javë për kundërshtarin e radhës. Kanë mbetur edhe 6 javë, që për ne janë finale, sepse jemi pretedentë jo vetëm për të dalë direkt në superiore, por edhe për të fituar titullin kampion, duke qenë se jemi vetëm 3 pikë larg Luftëtarit kryesues, – u shpreh trajneri Berberi.
Hamzaj Në ndeshjen e Mamurrasit mungoi sulmuesi Romeo Hamzaj, i ardhur në merkaton e janarit. Ai është autor i 8 golave dhe rikthimi i tij është një plus për skuadrën. Natyrisht që rikthimi i Hamzajt, duke ditur kualitetin e tij, na bën optimist. Ai është në formë shumë të mire dhe ka shënuar edhe gola spektakolarë. Bashkë me Malon kanë treguar se sulmi ynë është një makineri golash, thotë trajneri Berberi..
Jedjeviç Për shkak të një dëmtimi në kavilje, në ndeshjen e kësaj jave do të mungojë mesfushori Milosh Jevdjeviç. Mungesa e Jevdjeviçit sigurisht që na prish punë, megjithatë, e kam thënë edhe herët e tjera, Kukësi nuk varet nga elementë të veçantë. Shpresojmë që Jevdjeviçi të riaftësohet sa më shpejt dhe të jetë gati për ndeshjen me Himarën, një nga transfertat më delikate, – tha në fund trajneri i Kukësit, Shahin Berberi.
7 javë
ka Kukësi pa u ndalur, për herë të fundit ata janë mundur në Burrel në javën e 17 të, me rezultatin e ngushtë 1-0
1.5 vjet
ka trajneri Shahin Berberi në krye të kuksianëve, me të cilët vjet fitoi titullin kampion të kategorisë së dytë
