Xhafa: Lushnja, pa komplekse në Kavajë
Mbrojtësi Erion Xhafa thekson se skuadra e tij do të japë më të mirën në fushën e Besës, pastaj le të fitojë kush ta meritoj.
Lushnja sportive futbollistike po jeton ditë të ethshme me ëndrrën e kthimit në superiore pas tri viteve në kategorinë e parë. Specialistët e futbollit dhe opinioni futbolldashës në qytetin e Lushnjës mendojnë se skuadra luan futboll të bukur dhe se i ka mundësitë të marrë pikët e plota në ndeshjen e radhës me Besën. Nga stafi teknik mësohet se skuadra gëzon formë të mirë sportive.
Trajneri Malko dhe ndihmësit e tij kanë besim se grupi i futbollistëve që drejtojnë do të arrijë një tjetër rezultat pozitiv këtë javë. Gjatë dy ditëve të para të javës ata e kanë përqendruar punën në aspektin tekniko-taktik. Java e shkuar pati reshje shiu dhe në ndeshjet e zhvilluara kishte më shumë rëndësi aspekti fizik, kurse me Besën pritet të luhet në kushte më të mira dhe futbollistët do të kenë mundësi të tregojnë vlerat më të mira.
Futbollistët verdhejeshilë janë të gjithë të kënaqur nga dy ndeshjet e fundit, ku Lushnja ka shënuar 5 gola dhe ka marrë 6 pikë. Gola të shënuar jo vetëm nga Canka, por edhe nga të tjerë. Në Sarandë shënuan Sefa, Xhafa dhe Topi, kurse me Burrelin Canka dhe përsëri Xhafa.
Xhafa Dy gola të rëndësishëm për mbrojtësin Erion Xhafa, një pikë referimi në repartin difensiv, që do ta kishte zili çdo skuadër. Shtatlarti mori vendimin për të qenë pjesë e skuadrës ku u rrit në janar, kur la Kastriotin dhe u kthye në shtëpi. Është mirë të kesh admirimin e tifozërisë tënde, jo vetëm kur shënon, por edhe kur ekipi fiton.
U ktheva në Lushnjë për disa arsye, ku kryesorja është se dua të kontribuoj për skuadrën time, në ngjitjen e saj në elitën e futbollit shqiptar. Kemi një skuadër të kompletuar dhe profesioniste. E rëndësishme është të fitojmë dhe pak rëndësi ka kush shënon. Golat e mi kanë ardhur si rezultat i impenjimit të të gjithë skuadrës dhe sigurisht që forca jonë është grupi, që është i kompletuar, thotë qendërmbrojtësi Xhafa.
Besa Ndërsa për takimin e radhës ai u shpreh: Ndeshja me Besën është e fortë dhe skuadrat janë aty aty, por mendoj se ne do të shkojmë atje për të bërë më tëmirën. Le të fitojë ai që do ta meritojë. Nuk e kemi kompleksin se luajmë jashtë fushe, do të zhvilojmë një tjetër finale në rrugën tonë drejt superiores.
