E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muja lobon të mbetet kryetar i PDK-së në Prizren

Kryetari i PDK-së në Prizren, Ramadan Muja, nuk e ka në plan të dorëzohet në garën zgjedhore për kryetar të Degës së PDK-së.

Ai po lobon tek anëtarët e Këshillit drejtues, që në zgjedhjet e ardhshme t’i besohet edhe një mandat pozita që e mbanë nga koha e dorëheqjes së ish-kryetarit të PDK-së, Zafir Berisha.

Muja në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak se sa kandidati, Nait Hasani.

Ky rezultat i votimit nuk e ka zhgënjyer atë që të mos e vazhdojë garën për pozitën e kryetarit të PDK-së në Prizren. ”Muja po takohet me anëtarët e Këshillit drejtues. Ai po e kërkon edhe një mandat”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.

Kryetari Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren. Ai publikisht nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për këtë çështje, edhe pse në fundvit në vend të prezantimit të punës së tij, si kryetar i Komunës së Prizrenit,ka folur vetëm për rolin e PDK-së.

Zgjedhjet e PDK-së në Prizren, ishin paraparë të mbahen në fund të vitit të kaluar. Edhe pse ishin paraparë të mbahen në javën e parë të këtij viti, ato sërish janë shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Sipas statutit të PDK-së, kryetari i Degës, është i obliguar që pas Kuvendit Zgjedhor të caktojë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kryesi dhe kryetar. Në statut nuk përcaktohet koha e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Muja po e shfrytëzon këtë zbrastësi të statutit të partisë. Zgjedhjet e PDK-së në Prizren, po shtyhen me kërkesën e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, por edhe të vetë Mujës. ”Ai po don të fitojë në kohë”.

Zëdhënësi i PDK-së, Samir Hoxha, ndërkaq thotë se ende nuk është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve.”Besoj se javën e ardhshme do të kryhet edhe kjo punë”, tha Hoxha./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›