Mullinjtë si relike të kohës, një i tillë ruhet në Shtiqën të Kukësit, por nuk ndizet prej kohësh

Xhevit Basha, derën e mullirit e mban hapur gjithmonë, por janë bërë vite që s’ka punë si dikur. Mullirin dhe punën si mullixhi e ka nisur këtu e tre dekada më herët. Thotë se me këtë punë ka rritur fëmijët.
“Nga 2017 e deri sot është zero”, tha ai
Rreth 60 tonë bluante dikur në sezon, volum që mezi përballohej pa bërë pushim. Shtiqa ishte ndër fshatrat që kishte më shumë mullinj. Të gjithë kishin ngarkesën e plotë dhe nuk pushonin së bluari gjatë gjithë vitit.
“Më parë nuk kishte shtëpi që nuk bluante nga 25 kilogram në vit”, vijon mullixhiu.
Këtë vit ka arritur të bluajë vetëm 2,5 – afërsisht 3 tonë.
“Këtë vit kam bluar 2.5 ton deri tek 3 ton”, tha ai
Toka bujqësore e Shtiqës nuk mbillet dhe nuk prodhon si dikur. Mungojnë banorët që përbëjnë fuqinë punëtore.
“Kemi mbetur nga 2 vetë dhe nuk bëhemi më si më parë 3 apo 4 punëtorë. Sot e shikon të gjithë fushën dhe nuk ka kush e punon është për të ardhur keq”, tha ai.
Pavarësisht se nuk ka punë, te mulliri del çdo ditë dhe kujdeset për të. I bën shërbimet e nevojshme për ta mbajtur gjithnjë në gatishmëri.
Toka bujqësore në Shtiqë është tkurrur jo vetëm si rrjedhojë e mungesës së kujdesit nga fermerët për të mbjellë, por edhe për shkak se një pjesë e konsiderueshme po kthehet në troje e shtëpi banimi, duke ndryshuar destinacionin e saj.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/