Mundësitë e Ramës në relacionet me Kosovën
Lumir Abdixhiku
-Fitorja solide e Edi Ramës i jep atij çdo mundësi për të bërë mrekulli me Shqipërinë. Rama në të vërtetë i ka të gjitha mundësitë që për dy mandate të bëjë Shqipërinë anëtare të plotë në BE. Sot ai është kryeministër i shqiptarëve i zgjedhur me të njëjtën shumicë që kishte glorifikuar Berishën vite më parë; do të ishte e pakuptimtë trajtimi ndryshe, sidomos ende pa parë e provuar punën e tij të parë si kryeministër.
Rama meriton shansin e kërkuar në sa e sa vite. Për hir të dy të tretave të shqiptarëve që me entuziazmin më të madh dhanë votën e lirë, në një proces që filloi trishtueshëm me vrasje, por përfundoi me mrekulli; për hir të gjithë atyre njerëzve në Partinë Socialiste që janë shqiptarë e atdhedashës po aq sa të tjerët në partitë e tjera; për hir të gjitha problemeve që i ka Shqipëria sot e që do t’i ketë edhe nesër, Rama meriton përkrahje në çdo sfidë të nisur nga ai. Nëse do të më duhej të jap domosdo ndonjë shpjegim logjik në një relacion fare jologjik të shqiptarëve të Kosovës me këta dy liderë, do të jepja dy burime.
I pari ka të bëjë me lidhjen tradicionale të Berishës me Kosovën,. Këndej Berisha mbahet mend si një figurë glorifikuese e përpjekjeve të Kosovës gjatë kohëve më të vështira; ndjenja si këto vështirë se harrohen. Burimi i dytë ka të bëjë më tepër me antipatinë e kosovarëve ndaj “socialistëve” e rrjedhimisht çdo lider në krye të tyre. Roli i Ramës për Kosovën megjithatë, mund të orientohet në ekonomi. Rama në mandatin/mandatet e tij, nëse bash dëshiron ose bash ka nevojë të dëshmojë përafrimin me kosovarët, mund t’i japë zgjidhje problemit energjetik të Kosovës me Shqipërinë, i cili për asnjë arsye logjike nuk është zhbërë tash e 14 vite.
Është e pakuptimtë se si Berisha në asnjë rrethanë nuk arriti të ndërtojë linjën e interkonjeksionit mes të dy vendeve për t’i dhënë përparësi krahasuese të papara deri më tani për shqiptarët gjatë dy stinëve ekstreme kur të dy vendet kanë teprica respektive. Rama në mandatin/ mandatet e tij mund të fillojë edhe projektimin e parë të hekurudhës Shqipëri-Kosovë që do të bënte kështu boshtin shqiptar fuqi të pakontestueshme rajonale në tregtimin e mallrave e të mirave.
Rama në mandatin/mandatet e tij mund të zhbëjë një herë e përgjithmonë bllokimet turpëruese të patateve, verës së kuqe, rrushit e miellit që viheshin gjithandej nga ministra të qeverisë së fundit. Për më tepër, Rama mund të iniciojë edhe procedura unifikuese legjislative tregtare, sidomos në fushën e të bërit biznes e sidomos në sjelljen e investimeve kosovare në Shqipëri që janë pashpjegueshëm inekzistente. Kosova në fund të fundit ka nevojë për Shqipërinë, aq sa ka nevojë edhe Shqipëria për Kosovën. Si dy tregje të vogla e për më tepër në fund të fundit evropian, nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç se unifikimi e shfrytëzimi i përparësive krahasuese. Qeveria e Ramës mund të nisë një faqe të re të këtyre relacioneve.
Marrë me shkurtime nga koha.net