E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Berisha, politikani më korrekt që kam njohur

LSI është ende e pavendosur se me kë do të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I ftuar mbrëmë në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka në UTV News, kreu i LSI-së, Ilir Meta foli për marrëdhëniet me PD-në dhe mundësitë e reja që mund të vijnë deri në zgjedhjet e 2013-ës. Por sipas tij, nëse LSI dështon në këto zgjedhje, z.Meta nuk e përjashtoi dorëheqjen. Sa u përket raporteve aktuale me Kryeministrin Berisha, Meta tha se ai është personi më korrekt që ka njohur në politikë. Sa i përket zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, kreu i LSI-së hodhi poshtë çdo aludim për marrëveshje me PD-në, ndërkohë që vuri në dukje se më e rëndësishme është zgjedhja e personit me integritet dhe profesionalizëm, se sa konsultimet mes palëve.
Z.Meta, a do të jetë LSI-ja përcaktuese për zgjedhjet e 2013-ës?
Mendoj se jemi në një moment të rëndësishme në ditët dhe javët që vijnë, kur do të merren vendime të rëndësishme për integrimin e vendit, për statusin kandidat. Nuk duhet që ethet elektorale të 2013-ës të prevalojnë gjatë gjithë periudhës së fundvitit, kur Brukseli do vendosë për statusin. Ndaj është tepër herët për të folur për fushatën elektorale.
Në rast se Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, a e konsideron të përmbushur qëllim e saj LSI-ja?
Elektorati është shprehur në zgjedhjet e fundit, të cilat për arsye specifike kishin peshën e zgjedhjeve politike, sidomos në kryeqytet. LSI ka dalë shumë më mirë se në zgjedhjet e 2009-ës. Nuk është më koha e tabuve. LSI i ka thyer disa tabu të një të shkuare tejet konfliktuale, por LSI nuk ka pasur asnjëherë frikë që të marrë përgjegjësitë në raport me interesat e qytetarëve, por edhe sfidat e saj.
Cila do të ishte arsyeja që LSI-ja të dilte nga koalicioni qeverisës?
Nuk jemi në fund të prillit të 2013-ës, por në shtator të 2012-ës dhe prioritetet janë të ndryshe. Ne do ta kalojmë atë sfidë dhe besoj se do ta kalojmë me sukses, por më duhet të diskutoj dhe të vendos me forumet e partisë.
Po e ribëj këtë pyetje: Me kë do të jetë në aleancë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Ju, nuk jeni i prerë se z.Rama do të jetë kryeministër?
Kjo pyetje nuk ka të bëjë me kohën. Të bërit kryeministër të z.Rama do të përjashtohet me votë. Ne jemi në koalicion me PD-në dhe ka sfida për të kaluar dhe në fund të 4- vjeçarit do të ketë dhe bilancin. Ndaj mos më kërkoni qëndrime që i takojnë një periudhe tjetër kohore.
Nëse PD nuk merr një garanci nga LSI, çfarë do të ndodhë, duke marrë parasysh çështjen e anëtarit të KQZ?
Kemi një komunikim shumë konstruktiv me drejtuesit kryesorë të PD-së për çështjen e KQZ-së, që ajo të jetë sa më profesionale dhe me integritet sa më të lartë.
Në momentin që keni vendosur të votoni presidentin, a keni kërkuar nga PD që LSI-ja të zgjedhë kryeprokurorin?
Këto janë spekulime, pasi LSI i ka qëndruar tepër korrekte marrëveshjes me PD-në, edhe për zgjedhjen e presidentit.
Asnjëherë LSI nuk ka bërë kushtëzime të tilla, pasi ato do të ishin pa princip. Sa për kryeprokurorin, kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë konstruktive dhe kushtetuese. Ka dy aktorë që e zgjedhin, presidenti dhe Kuvendi, dhe natyrisht që kjo çështje në fund do të jetë produkt i këtij bashkëpunimi apo jo bashkëpunimi, nuk mund ta paragjykojmë.
Do të bëhen konsultime?
Çështja më e rëndësishme nuk është konsultimi, por integriteti, besueshmëria, që ky person të mund të japë pavarësinë e munguar dhe njëkohësisht edhe besueshmërinë se nuk do të jetë palë e askujt.
Kur e keni takuar Presidentin për herë të fundit?
Pas është zgjedhur. Më ka ftuar dhe kemi biseduar mes nesh…
A keni biseduar për kryeprokurorin?
Jo, nuk kam biseduar, pasi nuk janë çështje që më takojnë vetëm mua.
Megjithatë, ju i keni votat për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri…
Nuk është momenti i duhur.
A është konsultuar me ju kryeministri dhe presidenti për kreun e SHISH?
Në momentin që u bënë ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ, unë kam qenë ministër i Jashtëm dhe kam qenë në dijeni. Ka qenë një arsyetim, që mos të kishte asnjë drejtues pa mandat, duhet të jetë i limituar në kohë. Nuk ka pse të mos jetë i limituar në kohë, ndaj mendoj se ky zëvendësim nuk ka qenë i papritur edhe për arsye të kohës së gjatë në krye të këtij institucioni. Kjo ka qenë një marrëdhënie mes kryeministrit dhe presidentit dhe ata kanë përmbushur detyrën kushtetuese.
Çfarë keni arritur të bllokoni nga ato iniciativa të PD-së?
Qëllimi ynë nuk ka qenë të bllokojmë iniciativat e z.Berisha. Qëllimi ynë ka qenë të bashkëqeverisim në mënyrë sa më të dobishme, për të zbutur atë ngërç politik që bllokoi për një kohë të gjatë, që për fat të mirë tani është tejkaluar, si dhe për të orientuar qeverisjen e re politike drejt arsyes dhe respektimit të Kushtetutës, lidhur edhe me një konsensus sa më të gjerë. Ndaj, qëllimi ynë ka qenë pozitiv dhe i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në detyrim të zbatimit kushtetues, me PD-në, me presidentin e me opozitën.
Është e vërtetë që keni pasur një takim 40 minuta në Tetovë me z.Rama?
Mendoj se kemi të bëjmë me spekulime. Natyrisht, kemi pasur rastin të bisedojmë në një event të tillë. Nuk jam takuar me z.Rama që pas Gjirit të Lalzit, me përjashtim të takimeve publike, ku ka qenë dhe z.Berisha.
Cili është perceptimi juaj për korrektësinë e z.Berisha në raport me LSI-në?
Ka qenë personalisht tepër korrekt dhe deri tani është personi më korrekt në politikën shqiptare me të cilin unë kam pasur rastin të bashkëpunoj.
Ç’mendim keni për partinë e Topit dhe Spahiut?
Kjo ka të bëjë me kohën dhe përgjigje kaq të rëndësishme nuk mund t’i japë një individ, qoftë dhe kryetari. Natyrisht, ka të bëjë dhe me programin e LSI-së për 4 vitet e ardhshme.
A po e cenojnë peshën e LSI-së?
Pesha e LSI-së po vjen gjithnjë në rritje dhe këtë e kanë treguar edhe zgjedhjet vendore.
Nëse qeveria e re krijohet pa LSI-në, qoftë nga PD-ja apo nga PS-ja, a mund të themi se LSI ka dështuar?
Nuk do të thotë, se të jesh në opozitë je i dështuar dhe nëse je në pushtet je i suksesshëm.
A e mendoni dorëheqjen, nëse LSI dështon në zgjedhjet e ardhshme?
Sigurisht, nëse LSI nuk arrin një rezultat më të mirë, do të shikoj vetveten.
Rivali juaj në garën për kreun e LSI, Luan Rama, a po krijon një “Genc Pollo” brenda partisë suaj, a mund ta kontestojë garën me ju?
Unë e vlerësoj kandidimin e z.Rama dhe për çdo funksion politik duhet të ketë alternativa dhe konkurrenca, ndaj nuk mund të paragjykoj askënd për arsyet e kandidimit, përderisa jam shprehur gjithmonë për garë të ndershme.
Luan Rama ka bërë akuza ndaj drejtuesve të LSI-së, duke thënë se kjo parti duhet shkundur nga pushteti, që janë mbingopur me pushtetin…?
LSI është një forcë e cila është në koalicion, por shumica e anëtarësisë jo vetëm që nuk janë në qeveri, por janë njerëz që nuk e mbajnë familjen e tyre me pozicione të caktuara apo duke qenë në institucione publike. Nëse keni parasysh individë të tillë, absolutisht që ka vend për të rritur ballafaqimin me LSI-në dhe qytetarët.
Deri në fund të mandatit, LSI do t’i ndryshojë sërish ministrat?
Normalisht do të shkojmë me këta ministra…
Pa koalicionin, sa mandate merr LSI?
Kjo është çështje e ekipit që merret me këto llogaritje, por nuk është çështje e rëndësishme.
Ku do të kandidoni ju në zgjedhjet e 2013-ës, në Tiranë apo në Berat?
Unë mund të kandidoj kudo, në rast se i bëhet më mirë LSI-së. Kandidimi im është çështje e diskutimit të forumeve të partisë.
A i qëndroni dëshirës për të qenë sërish kryeministër i këtij vendi?
Kjo është çështje tjetër. Është çështje përgjegjësie dhe mundësie. Është një çështje që asnjëherë nuk mund të jetë sfidë personale dhe as e të tjerëve. Nuk mund t’u nënshtrohemi dëshirave të individëve, por votave të qytetarëve.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›