Mungesa e kuorumit, ndërpritet seanca e Kuvendit
Për më shumë se 30 minuta, deputetët e PS-së kanë pritur kolegët e tyre me qëllim arritjen e kufirit minimal për kalimin e drafteve
TIRANË - Bojkoti që opozita i ka bërë jetës parlamentare ka vënë edhe një herë në provë mazhorancën qeverisëse. Numrat e kufizuar që shumica e djathtë ka në parlament ka rrezikuar seriozisht votimin në seancën e djeshme plenare.
Mungesa e disa deputetëve të djathtë, përfshi edhe kryeministrin e vendit, është bërë shkak që për më shumë se 30 minuta të mos arrihej kuorumi i duhur i pjesëmarrjes për të bërë të mundur kalimin në proces votimi të projektligjeve, që ishin në rend të ditës, ç'ka ka detyruar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, të ndërpresë përkohësisht seancën.
Kuorumi
Mungesa e opozitës në veprimtarinë parlamentare, pasi ka bllokuar kalimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, tashmë po kthehet në një vështirësi serioze për mazhorancën edhe për funksionimin e Kuvendit në seancë plenare.
Ndërsa për mbledhjet e komisioneve problemi i kuorumit të nevojshëm për zhvillimin e një mbledhje është zgjidhur duke shkelur në vijimësi rregulloren, e njëjta rrugë për shkak edhe të pranisë së medias në sallë nuk është mundur të ndiqet dje në seancë plenare ku ka qenë tepër e vështirë për të arritur numrin e pjesëmarrjes prej 71 deputetësh për të kaluar më pas në proces votimi. Kështu në respektim të rregullores, kryeparlamentarja e Jozefina Topalli pasi është zhvilluar diskutimi i projektligjeve, përpara se të kalonte në proces votimi ka vendosur të bëjë verifikimin e prezencës në sallë.
Por më kot, pasi mungesat e shumta të deputetëve që binin në sy, ka detyruar atë që të ndërpresë seancën dhe të vërë në lëvizje të gjithë sekretarët dhe deputetët e pranishëm që të lajmëronin kolegët që mungonin.
Njëri prej deputetëve që është pritur ka qenë edhe deputeti Fatos Beja, prezenca të cilit bënte numrin 71 të deputetëve në sallë, çka krijonte mundësinë që të kalohej në proces votimi.
Pas gati dhjetë minuta pritje, Beja ka mbërritur në sallë, ç'ka ka çliruar stresin e deputetëve të djathtë, të cilët e kanë pritur atë me duartrokitje. Por, ky duket se ka qenë një gëzim i kot i deputetëve të shumicës, pasi sërish nuk është bërë i mundur arritja e kuorumit, kjo për shkak se nga salla, ndërkohë që pritej Beja, është larguar deputeti Mark Marku. Një gjë e tillë ka irrituar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është detyruar të lërë vendin e saj dhe të hyjë vetë në komunikim me deputetët që mungonin.
Përpjekje kjo që ka pasur edhe rezultatin e kërkuar, pasi në sallë kanë mbërritur me radhë zëvendëskryeministri Ilir Meta, ministri i Energjetikës Dritan Prifti dhe më pas edhe kryeministri Sali Berisha, të cilët kanë mundur të shpëtojnë përfundimisht fatin e kësaj seance.
Ligjet
Më pas Kuvendi ka hyrë në proces votimi ku dhe ka miratuar 6 ligje, kryesisht ratifikimi marrëveshjes me vende të tjera. Një nga ligjet më të rëndësishëm të miratuar gjatë kësaj seance ka qenë ai që bën disa amendime në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", nëpërmjet të cilave vendoset që bizneset që regjistrohen nuk kanë më mundësi të dalin më nga skema, përveç rasteve kur mbyllin aktivitetin.
Ndryshimet e miratuara dje nga Kuvendi synojnë ndaljen e abuzimeve me përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së. Hyrja dhe dalja e herë pas herë e tyre në këtë skemë është cilësuar problematike nga Financat, të cilat shpresojnë në zgjidhjen e këtij ngërçi me anë të ndryshimeve në fjalë.
Tashmë bizneset mund të kërkojnë daljen nga TVSH-ja nëse nuk blejnë më mallra të tatueshëm apo nëse mbyllin aktivitetin përfundimisht. Një tjetër ndryshim thelbësor në këtë ligj ka të bëjë me delegimin e të drejtës Këshillit të Ministrave për të përcaktuar kufirin minimal për pagesën e TVSH-së.
Gjithashtu, me anë të këtyre ndryshimeve bëhet e mundur që shkollat dhe universitet private të mos paguajnë më Tatim mbi Vlerën e Shtuar për furnizimet e tyre duke filluar nga vitit akademik 2010-2011.