Ligji i ri, Klosi: Berisha i trembet SHISH-it

TIRANË- Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi thekson se me ndryshimet e kryera nga qeveria pak ditë më parë, në ligjin për Shërbimin Informativ, kanë më shumë si qëllim mbrojtjen e Kryeministrit nga puna e këtij institucioni sesa kontrolli ndaj tij.
Sipas Klosit, Kryeministri Berisha më shumë sesa kërkon ta vërë plotësisht në kontroll, i druhet informacioneve që disponon Shërbimi Informativ për të.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Klosi vë në dukje gjithashtu se vendosja e mandatit 5-vjeçar për drejtorin e SHISH-it e bën atë më të pambrojtur kundrejt pushtetit ekzekutiv, pasi sipas Klosit, drejtori i këtij institucioni ndryshe nga ligji i vjetër, mund të shkarkohet automatikisht.
Për këtë arsye, sipas tij shtesa që është në ligj është e panevojshme dhe se ndryshimet e tjera janë bërë thjesht për të mbushur dhe formuluar ato pjesë që në ligjin e vjetër ishin të nënkuptuara.
Z. Klosi, si ish-drejtori i SHISH-it, si i gjykoni ndryshimet e propozuara në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror?
Unë kam qenë ai që ka drejtuar grupin për bërjen e ligjit ekzistues dhe në bërjen e këtij ligji ne kemi pasur konsulencë të gjithanshme, kemi bashkëpunuar me organizata jo qeveritare të të gjitha llojeve.
Për mua ai ligj ka funksionuar mirë dhe nuk është e nevojshme që t'i shtohen gjëra që praktikisht nuk shtojnë asgjë. E vetmja e rëndësishme që shtohet apo mendohet të shtohet është vendosja e mandatit për drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili ka qenë pa mandat, me kohë të pakufizuar derisa Kryeministri dhe Presidenti merrnin vendimin për ta shkarkuar.
Ndërsa tani ai shkarkohet automatikisht pas kalimit të një periudhe. Kjo e bën pozicionin e Kryeministrit më të rëndësishëm në zgjedhjen e kryetarit të SHISH-it, sepse Presidenti është i detyruar të miratojë një nga propozimet e Kryeministrit. Kryeministri ka të drejtë t'i kërkojë Presidentit që të shkarkojë drejtorin e SHISHI-it dhe duhet t'i japë argumente Presidentit që pse duhet shkarkuar.
Kështu që, nuk ishte e nevojshme që të vendosej afati 5 -vjeçar pasi Kryeministri në çdo kohë me kërkesën drejtuar Presidentit, mund ta shkarkojë drejtorin e Shërbimit Informativ.
A është e nevojshme përfshirja dhe konsultimi i Parlamentit në zgjedhjen e drejtorit të SHISH-it?
Meqënëse Shërbimi Informativ është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe komunikon përditë me Kryeministrin, ndërsa me Parlamentin komunikon më rrallë nuk mendoj se është e nevojshme përfshirja e Parlamentit. Megjithatë, nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse aplikohet.
Ndryshimet në ligj parashikojnë që drejtori i SHISH-it duhet të raportojë përpara kryeministrit në çdo kohë, për çdo gjë që lidhet me veprimtarinë e institucionit, a i krijon kjo hapësirë veprimi Kryeministrit mbi këtë institucion?
Edhe sot Kryeministri mund ta kërkojë që drejtori të raportojë për çdo gjë. Është një institucion që varet nga vetë Kryeministri. Për mua, nuk është ky problemi. Kryeministri ka të drejtë ta thërresë kryetarin e Shërbimit Informativ në çdo kohë, qoftë ditën apo natën, për të raportuar apo dhënë sqarime.
Nuk e ka penguar ligji këtë gjë. Unë e di që ata nuk komunikojnë sot dhe kanë kohë që nuk komunikojnë, për aryse që i di Kryeministri.
Nuk është se i pengon ligji dhe duhet shtuar në ligj kjo gjë. Këtu kryesorja është futja e mandatit, të gjitha ndryshimet e tjera janë për ta mbushur dhe për të krijuar idenë në publik se është një gjë e menduar, se nuk u ndërrua vetëm mandati por u ndërrua edhe kjo dhe ajo.
Kryeministri i ka të gjitha kompetencat mbi Shërbimin. Ato që shtohen, janë në ligjin ekzistues, vetëm riformulohen. Atje nuk janë të formuluara qartë por janë të nënkuptuara.
A ishte e nevojshme vendosja e mandatit 5-vjeçar për drejtorin e SHISH-it
Për mua jo, është e gabuar. Jo vetëm që nuk është e nevojshme por është e gabuar. Është e gabuar sepse nuk i krijon drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror asnjë lloj mbrojtje. Kështu siç është sot me ligjin ekzistues ka një lloj mbrojtje. Unë e kam provuar vetë. Kryeministri dhe Presidenti duhet të bien dakord për të shkarkuar drejtorin e SHISH-in.
Drejtori i SHISH-it nuk duhet të punojë me frikën që nesër do ta shkarkojnë. Detyra sigursht që është delikate dhe nuk është si institucionet e tjera. Puna e SHISH-it ka të bëjë me të gjitha institucionet tjera, me gjithçka që dëmton sigurinë kombëtare të këtij vendi.
Kështu që edhe në marrëdhëniet me Kryeministrin vetë, mosqenia e mandatit për drejtorin e SHISH-it e mbron, e garanton këtë të fundit dhe nuk janë tekat e një njeriu që i pëlqen apo nuk i pëlqen një informacion dhe vendos ta shkarkojë.
Qenia e Presidentit është një garanci më shumë sepse duhet ta dekretojë Presidenti shkarkimin e tij. Kurse në këtë mënyrë duke i vendosur mandatin, vjen afati, mbaron e ikën dhe Kryeministri propozon kë të dojë pastaj.
Për një drejtor SHISH-i që të punojë vërtet me objektivitet, të mos ketë firkë nga askush, duhet të mos jetë me mandat. E njëjta gjë u bë edhe me prokuroren dhe ajo është e gabuar.
Të dyja janë figura shumë të afërta për nga natyra e punës dhe nuk duhen ta kenë mandatin. Ata mund të shkarkohen. Nëse gabojnë është shumë e thjeshtë që t'i shkarkosh. Bie dakord Kryeministri dhe Presidenti, dhe shkarkohen menjëherë. Por të mbrojtur duhet të jenë dhe mandatet nuk duhet t'i kenë.
Ndryshimet në ligj sanksionojnë që edhe në marrëdhëniet që SHISH-i kërkon të vendosë me vendet e tjera si dhe nëse kërkon të hetojë shërbimet e inteligjente të vendeve të tjera më parë duhet të marrë miratimin e Kryeministrit. A është kjo rritje e kontrollit të Kryeministrit mbi këtë institucion?
Shërbimi Informativ punon mbi bazën e objektivave dhe prioriteteve që i cakton Kryeministri. Nuk bën politika bashkëpunimi Shërbimi Informativ me shërbimet e vendeve e tjera, është Kryeminstri.
Nëse Kryeministri vendos që marrëdhëniet me shërbimet e huaja të vendeve të tjera të ndërpriten, ai bashkëpunim ndërpritet. Është Kryeministri që drejton ekzekutivin dhe Shërbimi është pjesë e ekzekutivit.
A mund të ndikojë në hetimin me tendeca politike nga ana e SHISH-it, ku në ndryshimet parashikohet edhe hetimi i personave që ushtrojnë funksione publike?
Nuk ka pse të thuhet kjo. Madje, e shkruar me ligj nuk është e mirë. Ai e kishte të drejtën për të hetonte edhe personat publikë. Në qoftë se Kryeministri i kërkon drejtorit të SHISH-it për të hetuar një person të caktuar, ai nuk mund t'i thotë jo, përsa kohë është brenda kuadrit ligjor.
Çdo problem që lidhet me personat e rëndësishëm në një vend mund ta quash pjesë të sigurisë kombëtare. Nuk e ndalon njeri Kryeminstrin të japë detyra të tilla. Mua më duket se me ndryshimet që janë bërë, Kryeministri më shumë ka frikë nga SHISH-i sesa kërkon që ta kontrollojë. Ai nën kontroll e ka, por ai u trembet atyre që di SHISH-i.
Nga çfarë trembet Kryeminstri?
Po sepse ka gjëra për të fshehur. Unë e kam shumë të qartë. E kam pasur problem vetë këtë gjë. Kryeministrat nuk e kanë dashur si institucion. Berisha pa ardhur mirë në pushtet, nuk ishte bërë akoma zyrtarisht Kryeministër dhe pretendonte se kishte fituar, tha që do ta heqë Shërbimin Informativ.
Më pas nuk e shpjegoi kurrë se pse nuk e hoqi. Ai donte ta hiqte sepse nuk e do. Informacionet sekrete Shërbimi Informativ nuk i bën publike por në arkivat e tij i shkruan. Pra, problemi është se zyrtarët i tremben punës së SHISH-it.