Rama: S'futemi në Kuvend pa u hapur kutitë
Intervista/ Kreu socialist shprehet se zërat kundër në parti nuk do të ndryshojnë rrugën e PS-së
Gjykata ka mbyllur një proces legal dhe ne e kemi pranuar këtë vendim. Me ligj mund të bëhet transparenca
Në projekt-rezolutën e KE-së, a është i mjaftueshëm propozimi që raporterët i bëjnë maxhorancës?
Dua të theksoj faktin që kemi një lexim shumë serioz dhe mjaft të thellë të realitetit shqiptar në raportin e dy raporterëve të KE-së. Flitet hapur për një krizë politike dhe institucionale. KE-ja po vajton krizën institucionale dhe politike. Flitet hapur për nevojën e një hetimi parlamentar të zgjedhjeve.
Flitet për dy komisione edhe për një komision politiko-qytetar, ku sugjerohet apo hidhet ideja e pjesëmarrjes edhe të shoqërisë civile për të hetuar shkeljen e kritereve të Kopenhagenit përmes presionit të bukës së gojës për të marrë votën.
Flitet hapur për nevojën e një angazhimi të ndërkombëtarëve në vetë të parë, ku jo vetëm Këshilli i Evropës, por edhe të tjerë ftohen ti bashkëngjiten kësaj nisme. Flitet për nevojën e një tryeze, për nevojën që Presidenti i Republikës të jetë pjesë.
Kemi dhjetëra qindra shenja të një demokracie që nuk funksionon, të një shteti të së drejtës, që nuk funksion dhe të një politike të mbërthyer nga një krizë, që nuk është asesi produkt i një beteje për një palë në konflikt me një palë tjetër, por për interesin e demokracisë në Shqipëri. Pa pastruar rrënjët e procesit zgjedhor nuk mund të flasim për parlament.
A ka ndonjë pikë që nuk jeni dakord në analizën e raporterëve?
Sigurisht që ka ende për tu thelluar, sepse në fund të fundit, thembra e Akilit të këtij procesi politik që po zhvillohet dhe të kësaj krize, që po zgjerohet janë kutitë e mbyllura dhe nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve, pa pasur një hetim të atyre ç'ka në ato kuti, jo për të ndryshuar raportet e përcaktuara nga vendimi i gjykatës në shpërndarjen e mandateve. Ne duam të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin nga e njëjta sëmundje.
Parlamenti është vendi ku demokracia gjen shprehjen e vetë më të plotë përmes votës së popullit. Dhe këtë ju e keni pranuar?
Jo jo. Këtë e kam dëgjuar edhe nga miq të huaj. Parlamenti ka sens për sa kohë gjyqtari popull ka të drejtën e plotë të shprehet me votë dhe vetëm në momentin kur parlamenti është përballë një populli nuk i mohohet liria për të votuar, nuk i mohohet e drejta që vota e tij të numërohet atëherë ka kuptim ballafaqimi në Parlament... Këtë lloj parlamenti ne e refuzojmë si një teatër që nuk mund të prodhojë asgjë.
Në projekt-raport thuhet se asambleja shpreh keqardhje për bojkotin edhe të institucioneve të saj. A do ta çoni anëtarin tuaj në Asamblenë Parlamentare të Evropës?
Atëherë keqardhjen për bojkotin e kam shprehur në emër të PS-së qysh ditën e parë që e kemi shpallur këtë vendim, që nuk është zgjedhja jonë e lirë, por e vetmja rrugë që kemi për të rikthyer lirinë e zgjedhjeve. Anëtari ynë në asamble mund të shkojë vetëm në rast se ne jemi në Parlament. Kjo ka të bëjë me mbylljen e një mandati dhe me hapjen e një mandati tjetër.
Ju nuk pranoni ngritjen e një komisioni hetimor?
Ne e kemi kërkuar komisionin hetimor, e reja është që e kërkojnë edhe ata.
Zoti Berisha e ka pranuar komisionin....
Këshëlli i Evropës flet për nevojën, është hera e parë që ndërkombëtarët bashkohen që zgjedhjet të hetohen.
Ky është një bashkim në të njëjtin mendim?
Pse reporterët shtrojnë nevojën e hetimit të zgjedhjeve, sepse jo vetëm kanë bërë një vëzhgim të imët të realitetit në Shqipëri, por kanë lexuar edhe raportin e OSBE/ODIHR-it ku dalin në konkluzione të dhimbshme, që nuk ishin zgjedhje të denja për një vend anëtar të NATO-s.
Unë me aleatë tradicionalë dhe të rinj kërkonim hetimin e zgjedhjeve dhe duam nxjerrjen e përgjegjësisë për çdo person të përfshirë në manipulimin e rezultatit dhe kjo nuk mund të bëhet veçse përmes hetimit të numërimit dhe materialit zgjedhor.
Ju duhet ti keni kopjet e procesverbaleve?
Nuk mjaftojnë vetëm ato. Flasim për lista zgjedhësish në kuti. Duam të hetojmë listat e zgjedhësve që janë në kuti, sepse kemi të dhëna të mjaftueshme që flasim për mos përputhshmëri mes listave, që janë në kuti dhe atyre që janë afishuar.
Ne duam të hetojmë shifrat e pjesëmarrësve në zgjedhje. Rinumërimi është vetëm njëri aspekt. Ndaj zoti Berisha nuk i hap kutitë dhe ne nuk tërhiqemi pa u hapur kutitë.
Këshilli i Evropës në raport thotë që më parë ju duhet të hyni në Parlament dhe pastaj të krijohet komisioni hetimor për zgjedhjet?
Ne jemi gati të futemi në Parlament sapo të kemi qëndrimin publik për të mos kushtëzuar objektin e hetimit duke përfshirë edhe kutitë. Na duhet një marrëveshje e negociuar mbi bazën e kërkesave tona dhe ky është kompromisi ynë i madh që ne nuk kemi kontestuar, që megjithëse në pikëpamjen tonë vendimi i KQZ-së është një skandal antidemokratik për të mos lejuar hapjen e kutive, që vendimi i gjykatës është turp antidemokratik, ne përsëri, në funksion të koshiencës sonë për të pranuar pa kushte sistemin e kemi mbyllur kapitullin dhe nuk kërkojmë hetim për të përmbysur rezultatin, për të marrë pushtetin në tavolinë, por për t'i dhënë fund kësaj maskarade.
Në rast se ne tolerojmë atë që kaloi, zgjedhjet e ardhshme do të jenë fundi i çdo lloj zgjedhjeje, duke e kthyer gjithçka në një farsë si modeli i republikave sovjetike.
Ju dhe deputeti juaj i Shkodrës kërkuat seancën e jashtëzakonshme për përmbytjet dhe nuk morët pjesë?
Po, ne do të hyjmë në Parlament, sapo të kemi të drejtën të krijojmë një komision hetimor me shumicën tonë, me kryesimin tonë, por sigurisht nuk kam parasysh kushtëzimin e objektit. Deputeti i Shkodrës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme, por ajo u zhvillua në hapjen e sesionit në datën 18 janar.
Ju nuk do të riktheheni në parlament?
Patjetër që ne nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në parlament në rast se Sali Berisha nuk kthehet nga rruga pa krye që ka hyrë, në rast se Berisha nuk arrin të kuptojë se kjo situatë është produkt i kokëfortësisë për të mbajtur kutitë të mbyllura dhe për të mos lejuar këtë hetim parlamentar.
Kjo mund të sjellë një precedent që mund të përsëritej më pas...
Bojkoti ynë ka një arsye shumë madhore dhe arsyeja e këtij bojkoti është edhe avantazhi madhor i demokracisë ndaj çdo sistemi tjetër, liria dhe e drejta për tu gjykuar nga populli. Mjaft më me pranimin e një fakti që në fakt shpreh një dobësi që Shqipëria kjo është, se Shqipëri jemi, se këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat.
Pse s'ju kanë votuar ju si shumicë?
Nëse na kanë votuar ose jo ne si shumicë kjo është e mbyllur në kutitë e votimit. Megjithatë unë dua të them se PS-ja nuk është në këtë betejë si një shprehje të luftës për pushtet, por për një luftë për demokracinë.
Problemi qëndron tek degradimi i pushtetit. Nuk do të kishim pasur një përmbytje në Shkodër në rast se do të kishim pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk do të kishim ne këtë shpartallim ekonomik në rast se do të kishim pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo që ka ndodhur më 28 qershor ka ndodhur edhe më parë, edhe kur ju u zgjodhët kryetar i bashkisë dhe ku u mbyt Tirana. Ju e njihni rezultatin e 28 qershorit?
Nuk është e vërtetë që Tirana është përmbytur për shkak të keqmenaxhimit të bashkisë, kjo pasi menaxhimi i digës është i qeverisë. Unë do të largohem nga politika ditën kur do të më duken gjerat sikur i shohë për herë të parë.
Në këtë vend ne sundohemi nga një regjim që ka varfëri aspiratash për vendin e vet. Bojkoti është vendim referendar i Partisë Socialiste i cili ka konfirmuar dhe linjën politike. Konfirmimi im në zgjedhje nuk ka qenë thjesht konfirmim i një kandidature, por edhe i një linje.
A e njihni rezultatin?
E kam thënë sot se ne e kemi bërë kompromisin e madh, dhe pse kishim dhe një rrugë tjetër që të ndiqnim rrugën e "black out" total për të mos njohur as rezultatin dhe asnjë institucion.
Për interes të devijimit nga kërkesa jonë për hetimin Berisha thotë që ne nuk njohim vendimin e gjykatave. Nuk është e vërtetë dhe unë do t'i kërkoj ndjesë dhe pinokut që e krahasoj me një gënjeshtar kaq të madh sa Berisha.
Gjykata ka mbyllur një proces legal dhe ne e kemi pranuar këtë vendim. Votat dhe procesverbalet janë dokumente. Parlamenti është Sovran dhe bënë një ligj dhe me atë ligj mund të bëhet transparenca duke hapur kutitë. Berisha mund të rrijë mbi ato kutitë, por do ta largojmë bashkë me to.
Si do ta largoni?
Do ta largojmë me protesta.
Nuk keni frikë se edhe sikur të arrini këtë qëllim mos ju vjen tjetri pas 40 ditësh dhe ju kërkon të njëjtën gjë?
Ne nuk e konsiderojmë nul vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por e konsiderojmë një shprehje të korruptuar të një sistemi dhe nga pikëpamja ligjore rezultati është ky. Por nga ana tjetër kërkojmë të hetojmë dhe të shohin të gjithë shqiptarët se çfarë ka në kutitë e votimit dhe që ky proces të marrë fund.
Brenda PS-së janë një grup deputetësh që kanë kërkuar rikthimin në parlament. Ata deklaruan se do të futen në Kuvend.
Çfarë mendimi keni për zërat kundër në parti?
Fakti sot është se vullneti i opozitës ka marrë një përmasë të re përmes vullnetit të shprehur nga një organizëm si Këshilli i Europës që ka kërkuar hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Me këtë është thënë gjithçka lidhur me pretendimet dhe opinionet që janë të ndryshme. Numrat mund t'i llogarisë ai që qeveris, opozita nuk llogarit numrat, por ajo sheh të vërtetën.
Për këtë ajo nuk zbrapset. PS-ja dhe opozita nuk ka kohë për të humbur me asnjë diskutim i cili nuk çon aty ku i gjithë populli opozitar i ka sytë. PS-ja ka vuajtur në të shkuarën nga shfaqje të cilat si shprehje e abuzimit me lirinë nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse pengmarrje e gjithë partisë me kërcënimin se ose kështu o s'ka. Kjo epokë në PS është mbyllur.
Çfarë do bëni, se këta do hyjnë në Kuvend?
Ajo që po them është se asnjë lloj lëvizjeje në kundërshtim me këtë lëvizje të madhe popullore nuk e kthen popullin opozitar nga rruga dhe nuk e kthen PS-në në parlament.
A ndjeheni vetëm në këtë betejë, pasi po bëheni një parti ilegale.
Nuk ka asnjë zë që t'ju përkrahë edhe nga ndërkombëtarët?
Jo vetëm që nuk ndjehem vetëm në këtë betejë, por kjo betejë përfaqëson forca dhe njerëz që janë të bashkuar përtej kufijve që ndajnë ato forca në kushtet e një gare. Ato mandate janë mandatet e popullit opozitar dhe ato nuk do të digjen se do Jozefina Topalli. Ndaj të mos spekulojmë siç spekulon Berisha.
Më thoni emrin e një politikani apo institucioni që ju mbështet...
Këshilli i Internacionales Socialiste që e ka shkruar të zezë në të bardhë se mbështetë PS-në.
A është demokracia për ta vendosur në rrugë?
Ku e vendosi demokracinë populli shqiptar në vitin 1990. Demokracinë populli shqiptar e vendosi në rrugë dhe çdo populli që i mohohet liria dhe e drejta e vendos të drejtën e vet në rrugë.
Do të qëndroni në rrugë dhe do të bojkoti apo do të ktheheni në parlament?
Bojkotin e ka në dorë Sali Berisha. Ai mund ta ndalojë duke hapur kutitë.
Jeni i gatshëm të mbani përgjegjësitë e kësaj rruge që po ndiqni?
PS-ja do ti shkojë deri në fund kësaj beteje dhe ne nuk mund të pranojmë më zgjedhje të tilla.
Çdo bëni për mandatet?
Mandatet e PS-së janë mandatet e popullit opozitar. Nuk janë më shumë se na takojnë, por janë më pak dhe ato mandate nuk do të digjen.
Çfarë do bëni nëse do të digjen?
Ato mandate nuk do të digjen.
Flitet për një rikthim të Nanos...
Ilir Meta, Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë kohë që janë bashkë.
Ben Blushi është me ta?
Nuk mund ta them këtë gjë. Por vendimi për të mos hyrë në parlament është një vendim që nuk kthehet dhe nuk zhbëhet pa hapur kutitë.
Do kandidoni për kryetar bashkie?
Këtu ka kaq shumë për të bërë sa evenimentet që do të vijnë më pas jo vetëm që janë përtej kufijve të këtij momenti, por janë të edhe të paparashikueshme.
A jeni gati që për hir të integrimit në Europë të hyni në parlament pa plotësuar kërkesën tuaj?
Për hir të integrimit në Europë ne do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtën tonë.
Marrë me shkurtime
nga emisioni "Top Story"