Mungesa e laboratorit për analizimin e ushqimit rrezikon konsumatorët

Muaji mars, i cili njihet si Muaji i Konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta.
Vetëm brenda katër muajve në vendin tonë kanë hyrë mbi katër produkte që konsideroheshin me cilësi të dyshimtë, e që rrjedhimisht rrezikojnë jetën e qytetarëve. Shamponia për fëmijë Kosil, domatja, margarina Vital dhe disa produkte të qumështit, ishin produktet e dyshuara për nga cilësia.
Shfaqja e aflatoksinës M-1 mbi nivelin e lejuar, e cila është gjetur në qumështin e prodhuar në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, ishin produktet e fundit, shitja e të cilave u ndalua në tregun kosovar.
Në javën e konsumatorit, që filloi të enjten, Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke përmendur këto raste, theksojnë se janë duke punuar për vetëdijesimin e qytetarëve për paraqitjen e ankesave kur ata hasin në produkte të dyshimta.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka të rregulluar mirë legjislacionin në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit, por kjo nuk mjafton.
“Kjo nuk mjafton, sepse zbatueshmëria e ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit e ka fatin e ligjeve të tjera. Është e ditur se zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë nuk e arrin nivelin 40 për qind”.
“Ne këtu duhet të fokusohemi, e për ta bërë këtë nuk mjaftojnë mekanizmat, nuk mjafton vetëm konsumatori nuk mjaftojnë bizneset qofshin ata që prodhojnë apo tregtojnë. Por, neve na duhet një përkrahje shumë më e madhe e institucioneve të shtetit, nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për arsye se ne paguajmë për shërbimet që i presim nga institucionet”, thotë Kaçaniku.
Mungesa e laboratorëve për bërjen e analizave të produkteve që hasen si të dyshimta, nga Kaçaniku thuhet të jetë një pengesë mjaft e madhe. Laboratorët duhet të jenë të pavarur dhe nën mbikëqyrjen e konsumatorit.
“Mungesa e laboratorëve dhe ekspertëve, motivimi i pamjaftueshëm i mekanizmave kadrovik e financiar po na kushton shumë shtrenjtë. Derisa ne, si konsumatorë, po e vërejmë se diçka ka ndodhur dhe po dëshmohet se, në mungesë të laboratorëve, në organizmin tonë ka hyrë një ushqim i kontaminuar. Në këtë aspekt duhet të punojmë shumë më shumë”, shton Kaçaniku.
Sidoqoftë, rastet e fundit të produkteve të dyshimta kanë ngritur vetëdijen e qytetarëve për të bërë ankesa.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, derisa në vitin e kaluar numri i rasteve që konsumatorët i kanë paraqitur rastet në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit ishte 109, në vitin 2013 vetëm për tre muaj janë paraqitur 86 ankesa.
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo thotë se ka një përmirësim të lehtë në mbrojtjen konsumatorit, por ende mbetet shumë për t'u bërë në mënyrë që mbrojtja e konsumatorit të rregullohet sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare.
“E drejta e konsumatorit mbrohet me ligj dhe çdo njëri nga ju që hasni në padrejtësi, duhet ta raportoni atë. Kjo do të kishte dy efekte, e para pasi që ju konsumatorë do të shihni rezultatin e shpejtë në zgjidhjen e të drejtave tuaja dhe, e dyta, do të na ndihmoni në mbikëqyrjen edhe më të fortë të tregut të brendshëm”, thotë Ustaibo.
Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit e Kosovës, si autoritet shtetëror.
AVUK vetëm gjatë vitit të kaluar ka asgjësuar mbi 1 milion kilogramë produkte të ndryshme, që konsideroheshin të dyshimta./Indeksonline/