Mungesa e parkingjeve, veturat në trotuare

Mungesa e parkingjeve vazhdon edhe më tutje të mbetet problematike për qytetarët e kryeqytetit. Në mungesë të tyre, ata detyrohen të parkojnë vend e pa vend veturat e tyre. Në anën tjetër, Policia e Kosovës, ka marr aksionin për largimin e tyre, në mënyrë që të krijohet hapësirë e lirë për ecje, për qytetarët. Projektet e komunës për ndërtimin e parkingjeve të reja, nuk duket askund.
Një nga problemet më të mëdha të banorëve të kryeqytetit mbetet mungesa e parkingjeve të veturave. Problemi më i madh është në zonën e qendrës së kryeqytetit, ku numri i banorëve është shumë më i dendur dhe ka shumë të tjerë nga periferia e qytetit, por edhe nga vendbanimet e tjera të Kosovës që vijnë me vetura në qendër. Qytetarët nuk kanë mundësi të lirë të lëvizjes, shkruan RTK.
“Ne si qytetarë të Prishtinës, më herët Prishtinën e njohim si një vend me më pak komunikacion, kemi pas vend ku me lënë kerrin, sot është kaos. Unë ne mes të qendrës banoj, një mbeturinë nuk mundesh me marr me qit, ose me shku me ble diçka prej kerreve trotuareve, populli duhet të vetëdijesohet vet mi hjek. Sidomos në sezonin dimëror dhe vjeshtor shumë vështirë në trotuare me ec prej kerreve”, thotë një qytetar.
Për këtë çështje, Policia e Kosovës, ka filluar aksionin për largimin e të gjitha veturave që parkohen gjatë gjithë kohës në vendet e ndaluara. Ata vazhdimisht u shkruajnë tiketa dënimi atyre që parkojnë në vend të gabuar. Vetëm gjatë ditës, në Prishtinë, Policia konfiskon rreth 30 vetura.
“Njësitë e trafikut dhe të gjitha njësitë e tjera në baza ditore merren, përveç me punë të tjera, edhe me konfiskimin e veturave, pikërisht për të liruar të gjitha trotuaret, sepse ato janë të dedikuara për këmbësore dhe jo për parkim të veturave”, thotë zëdhënësja e policisë, Sabrije Kamberi.
Qyteti i Prishtinës vazhdon të ndjejë mungesën e parkingjeve, pavarësisht që gjatë disa fushatave parazgjedhore pati premtime edhe për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore.
Në Prishtinë është i ndërtuar vetëm një parking, i cili gjendet prapa Pallatit të Rinisë, por që shfrytëzohet shumë pak nga qytetarët./Indeksonline/