Shpërbërje e institucioneve paralele apo transferim kompetencash?

Paralelizmat institucionalë në veri të Kosovës janë një çështje që duhet zgjidhur dhe tashmë janë dhënë shenja të qarta se kjo çështje do të trajtohet nga Prishtina, Beogradi dhe Bashkimi Evropian, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe të zhvillimeve politike në Kosovë.Sipas tyre, kjo çështje është paralajmëruar të diskutohet edhe në takimin e ardhshëm, më 19 dhe 20 shkurt, ndërmjet kryeministrave Thaçi dhe Daçiq.
Kryeministri serb së fundmi ka deklaruar se çështja e institucioneve paralele duhet të zgjidhet.
Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, thotë se çështja e strukturave ilegale dhe paralele duhet të analizohet, si dhe të vlerësohet se si duhet qasur atyre dhe çfarë duhet të bëhet me to.
“Kur është fjala për strukturat e sigurisë, komponentët e sigurisë së shtetit serb që funksionojnë brenda territorit të Kosovës, sigurisht që ato duhet patjetër të largohen nga Kosova dhe të shpërbëhen”.
“Por, kur është fjala për struktura tjera që ofrojnë shërbime për qytetarë, siç janë shërbimet shëndetësore, arsimore dhe edukative, atëherë duhet të gjendet mënyra se si këto, të themi, të transferohen nga kompetenca apo kontrolli që e ka mbi to tash Serbia, nën kompetencat e shtetit të Kosovës dhe shteti i Kosovës t’i marrë kompetencat që t’i mbajë gjallë dhe t’i ofrojë këto shërbime për qytetarët e Kosovës që jetojnë atje”, tha Arifaj për Radion Evropa e Lirë.
Analisti Halil Matoshi thotë se është reale të pritet që gjatë këtij viti çështja e institucioneve apo strukturave paralele në veri të zgjidhet. Ai thotë se Serbia do të jetë e detyruar t’i shpërbëjë sidomos strukturat e sigurisë në veri të Kosovës, nëse dëshiron ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas Matoshit, pritet që strukturat paralele, të cilat nuk janë të inkriminuara, të legalizohen dhe të integrohen përmes një procesi zgjedhor që mund të ndodhë brenda këtij viti, ose më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Si shpagim, serbët e Kosovës do të përfitojnë aplikimin strikt të Pakos së Ahtisaarit, e cila iu mundëson në realitet edhe krijimin e asociacionit të komunave të tyre, por tashmë, me krijimin e fondit të veçantë, edhe njëfarë lloj, po e quaj, autonomie financiare. Në këtë rast, unë mendoj se Serbia është e detyruar t’i shpërbëjë strukturat ilegale, sidomos ato të sigurisë, që njihen me emrin ‘mbrojtje civile’ ose dikur ‘rojat e urës’”, vlerësoi Matoshi.
Por, të dy këta njohës të rrethanave dhe zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se shpërbërja e institucioneve apo strukturave paralele dhe ilegale në veri do të gjenerojë edhe rezistencë ndaj këtij procesi nga ana e disa grupeve serbe në veri.
Për Arifajn, shumica e qytetarëve në veri të vendit dëshirojnë jetë normale dhe përmirësim të kushteve në atë pjesë të vendit, por ka edhe grupe që janë të lidhura me politikën dhe krimin dhe i druhen çfarëdo ndryshimi të gjendjes në veri të vendit.
“Më e rëndësishme është, gjithashtu, që të përmendim se këto grupe shpeshherë janë treguar se dinë t'i detyrojnë qytetarët atje, pa marrë parasysh se me çfarë masash, që të bëhen pjesë e aksioneve që organizojnë këto grupe dhe që mund të sjellë një përshkallëzim më të madh të gjendjes atje”.
“Megjithatë, gjithashtu kemi vërejtur se Serbia ka pushtet të madh, ka fuqi të madhe në veri të Kosovës dhe mund ta diktojë kahen, drejtimin e zhvillimeve në veri. Pra, ose të nxisë përshkallëzime, por edhe të pengojë përshkallëzimin e çfarëdo situate në këtë pjesë të Kosovës”, vlerësoi Arifaj.
Mendim të ngjashëm shprehu edhe Matoshi, i cili madje pret edhe dhunë, siç e vlerëson ai, të intensitetit të ulët.
“Gjithsesi, njerëzit, grupet e interesit, do të përpiqen t’i ruajnë privilegjet e tyre, qoftë në krimin e organizuar, qoftë në privilegjet që u jep organizimi paralel i pushtetit atje. Mirëpo, unë mendoj se do të ketë rezistencë, madje edhe dhunë të intensitetit më të ulët, por serbët e Kosovës do t’i nënshtrohen vendimeve, vullnetit dhe imponimeve që do t’ju vijnë nga Beogradi”, tha Matoshi.
Që të dy analistët mendojnë se për çfarëdo tranzicioni paqësor në veri të Kosovës, duhet të jetë e përfshirë tërë kohën bashkësia ndërkombëtare, e sidomos BE-ja, e cila duhet të sigurojë mekanizma që do t’i detyronin të dyja palët për t’u përmbajtur nga dhuna, nxitja dhe përshkallëzimi i saj./Indeksonline/