TemA TV/ Mungesa e votave, PD shtyn për të hënën votimin për KQZ-në. Lefter Koka: Berisha po inicion trazira (VIDEO)
Kuvendi ka shtyrë për ditën e hënë votimin për të zëvendësuar apo jo anëtarin e LSI-së në KQZ.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Shtyrja e votimit thuhet së është bërë për shkak të mungesës së votave të duhura nga mazhoranca.
Pikërisht për këtë shkak, si dhe tensionit të krijuar për këtë propozim, seanca ka nisur vetëm në orën 13:15, ndërkohë që ajo ishte planifikuar për të nisur që në orën 10:00.
Megjithatë, ajo ka zgjatur vetëm pak, duke qenë se Jozefina Topalli ka njoftuar shtyrjen për ditën e hënë.
Mazhoranca ka çuar për votim dy emra të propozuar nga Partia Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kundërshtuar këtë lëvizje të Partisë Demokratike. Ilir Meta e cilësoi propozimin e PD-së para se të hynte në Kuvend, si një sjellje diversante.
Kreu i LSI, Ilir Meta i pyetur nga gazetarët jashtë dyerve të parlamentit rreth zëvendësimit të anëtarit të LSI në KQZ vlerësoi se kjo sjellje e politikës është sjellje diversantësh.
Nuk ka lidhje me ligjshmërinë dhe as me kushtetutshmërinë. Ne kemi një sjellje prej diversantësh ne politike.
Kurse deputeti i LSI, Lefter Koka pak para nisjes së seancës parlamentare akuzoi Berishën si iniciues të trazirave.
Ka lidhje dhe me çështjen e votave, por ajo që duhet të cilësoj është se zëvendësimi po bëhet me kërkesë të PD, një veprim i paprecedent, i rrezikshëm që tensionon procesin zgjedhor, antikushtetues. Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartë kur bëhet zëvendësimi i anëtarëve të KQZ. Kjo tregon se, nesër mazhoranca mund të ndërrojë gjithë anëtarët nëse do. Bëj thirrje që mazhoranca të bëjë zgjedhjet e duhura, të mos krijojë tensione artificiale.
Aktualisht ka mes partive politike një gjendje tensioni shumë të lartë, uroj të mos ndodhë diçka e paparashikuar. Unë besoj se respektimi i Kodit Zgjedhor është thelbësor dhe ligjvënësi duhet të respektojë KQZ. Unë besoj se është një fenomen tashmë i njohur. Sa kohë që kryeministri është në politikë, nuk mendohet çdo ndodhë, por çka në mendjen e tij. Ai gjithmonë ka krijuar trazira.
Ne sot kërkojmë të respektohet e zbatohet ligji. Nëse sot jemi larguar nga mazhoranca me këtë që po bën PD i bie që edhe ne të kërkojmë rivotimin e presidentit, atë të prokurorit. Nuk rikthehemi dot për cdo vendim që kemi votuar.
Do të uroja të kemi qetësinë e duhur që të shkojmë në zgjedhje pa presionet e duhura pas kalimit në minorancë, tha Koka.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule vlerëson se lirimi i anëtarit të LSI nga KQZ, është një veprim antiligjor dhe një minë me sahat për zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Situatat janë të thjeshta, kemi të bëjmë nga këndvështrimi politik me një non sens, nga juridike me nismë antiligjore, ndërsa në lidhe me procesin zgjedhor është minë me sahat që i vendoset tek ata që duhet të ishin më përgjegjshëm dhe që i bie përgjegjësia e mbajtjes së zgjedhjeve te 23 qershorit, tha Dule.