Mungoi në seancën për imunitetin e Ballukut, Balla-Spiropalit: Në fund të sesionit, do bëjmë analizën e performancës së punës

Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me procesin e rienergjizimit, organizimit të degëve dhe zgjedhjet vendore të 2027-ës. Pas përfundimit të mbledhjes, në një deklaratë për media, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u pyet edhe për mungesën e deputetes Elisa Spiropali në seancën parlamentare ku u votua imuniteti i Belinda Ballukut. Balla bëri me dije se në fund të sesionit do të bëhet analiza e performancës së punës të çdo deputeti. Ky raport i kryesisë, theksoi Balla, do t’i paraqitet grupit parlamentar.
“Jua kam thënë, ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë performance pune. Kryesia e grupit parlament i paraqet grupit një raport. Kur të vijë ai moment.
Për performancën e çdo deputeti është rregull. Më pas kërkohet përmirësimi i punës, etj,”, tha Balla.
Kujtojmë se disa javë më parë, deputetja Elisa Spiropali mungoi në seancën plenare ku do të votohej imuniteti i Ballukut. Pas mungesës së saj, Balla deklaroi se do të thërriste grupin parlamentar të PS për të diskutuar dhe marrë një vendim lidhur me mungesën e socialistes.
Pas deklaratës së tij u kundërpërgjigj Spiropali e cila binte dakord me të për thirrjen e grupit parlamentar dhe zhvillimin e një diskutimi.
“Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”, deklaronte Spiropali.
/rtsh.al/