E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nis procesin e rienergjizimit, Balla: Anëtarësime të reja dhe fokus te zgjedhjet vendore

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë me dije se në qendër të diskutimeve të mbledhjes së grupit ka qenë organizimi i degëve të Partisë Socialiste dhe procesi i rienergjizimit të forcës politike.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se deputetët janë aktualisht në një fazë të gjerë komunikimi me qytetarët, ndërsa shtoi se procesi po ecën sipas pritshmërive, me një numër të konsiderueshëm anëtarësimesh të reja.

“Jemi në një fazë komunikimi të gjerë me publikun, ku paralelisht po zhvillohet edhe procesi i rienergjizimit. Procesi po ecën sipas pritshmërive, me një numër të konsiderueshëm anëtarësimesh të reja”, u shpreh Balla.

Ai u bëri thirrje të rinjve që të angazhohen në Partinë Socialiste, duke e cilësuar atë si instrumentin kryesor për të kontribuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas tij, ky proces do të vijojë deri më 12 qershor, por nuk do të ndalet aty, duke u shtrirë edhe gjatë verës dhe duke vijuar në shtator me përgatitjet për zgjedhjet vendore.

“Kjo ka qenë një nga çështjet që dhe me prezencë të z.Klosi dhe në mbledhjen e kaluar dhe sot, jemi në fazë komunikimi të gjerë me publikun përmes këtij procesi që nga një krahë ka komunikimin me qytetarët dhe në anën tjetër procesin e rienergjizimin. Procesi po ecën sipas pritshmërive me një numër të konsiderueshëm anëtarësimesh të reja., Thirrja ime për të rinjtë e të rejat që duan të japin kontribut që ti bashkohen PS si i vetmi instrument në duart e tyre për ti dhënë fuqi procesit të Shqipërisë në BE.

Sekretari i përgjithshëm do ketë komunikim për të njoftuar këtë fazë të parë. Ky proces shkon deri më 12 qershor, por s’do ndërpritet aty. Do vazhdoj përtej qershorit e korrikut për të vazhduar në shtator me përgatitje për zgjedhjet vendore”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Balla theksoi se procesi i organizimit lidhet drejtpërdrejt me objektivin e Partisë Socialiste për të garuar dhe fituar në të 61 bashkitë e vendit.

Ai shtoi se në kuadër të reformës administrativo-territoriale, deputetët do të jenë pjesë e dëgjesave publike në 12 qarqet e vendit, me synim marrjen e rekomandimeve nga qytetarët.

“Qëllimi i reformës është një qeverisje vendore më efektive dhe më e mirë. Pas 12 vitesh nga zbatimi i saj, duhet të konsolidojmë më tej shërbimet publike dhe administrimin vendor”, u shpreh Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›