E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë avokatët, gjyqi i Dritan Dajtit drejt përfundimit të afatit

TIRANE - Mungesat e pajustifikuara të avokatëve po bëhen dita ditës shkak për shtyrjen e gjyqit ndaj Dritan Dajtit, autorit të masakrës së 7 gushtit 2009 në Durrës, ku u ekzekutuan katër oficerë policie.

Për shkak të zvarritjes së procesit, rrezikon që autori i masakrës të lërë qelitë, për shkak të përfundimit afateve të paraburgimit. E ndodhur përpara një fakti të tillë, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka kërkuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, të marrë masa disiplinore ndaj avokatëve të të pandehurve, mes tyre dhe të pandehurve Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça.

Konkretisht në seancën e djeshme, mungonin avokatët e këtyre dy të pandehurve duke bërë të pamundur zhvillimin e gjykimit. “Seancat gjyqësore janë shtyrë në mënyrë të përsëritur për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve në këtë gjykim, fakt për të cilin gjykata i është drejtuar në mënyre periodike, sipas rastit për çdo seancë gjyqësore, institucioneve kompetente për marrjen e masave disiplinore për avokatët përgjegjës”, - thuhet në njoftimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Më tej, theksohet se gjykata ka si qëllim në çdo rast shpejtësinë e gjykimit të çështjeve. Gjyqi ndaj Dritan Dajtit dhe dy të pandehurve të tjerë ka startuar në Gjykatën e Tiranës prej datës 11 dhjetor 2009 dhe ende gjykata nuk ka mundur të japë verdiktin e saj për të dyshuarit.

Dajti akuzohet se me 7 gushtit 2009 ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duckollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale të cilët tentuan ta arrestonin të shumë-kërkuarin.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›