E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë lejet pezullohen punimet tek Kopshti Botanik

08/06/2011  Ndërtimi i Unazës së Madhe

Pezullohen punimet e nisura prej disa ditësh pranë Kopshtit Botanik për ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit, pasi dy firmat e autorizuara nuk dispononin lejet mjedisore përkatëse, fakt ky që është pohuar edhe nga drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit. Zëvendësministri Arben Demeti ka pohuar gjatë ditës së djeshme se asnjëra prej firmave nuk ishte e pajisur me leje mjedisore, ndërkohë që procedura për marrjen e tyre kërkon kohë. “Inspektorët tanë kanë bërë ndërhyrjet dhe kanë pezulluar punimet, derisa procesi i dhënies së lejes mjedisore të përfundojë. Ne do të bëjmë një konsultim të gjerë me faktorë të shoqërisë civile dhe me faktorë të tjerë dhe më pas do të përcaktojmë edhe kushtet përkatëse të lejes përfundimtare të mjedisit”, ka deklaruar Demeti. Sipas tij, për t’u pajisur me këtë leje firmat duhet të kompensojnë dëmin mjedisor që do të shkaktojnë në Kopshtin Botanik, në një tjetër sipërfaqe. Tri janë segmentet e përcaktuara në të cilat do të zhvillohen punimet për ndërtimin e unazës, e cila do jetë rreth 6 km. Segmenti i parë nis nga Shkolla Teknologjike deri në qendrën “Kristal”, segmenti i dytë nga kjo qendër deri pranë shkollës së Policisë në Sauk. Për të dyja këto segmente punimet nuk kanë nisur ende. Ndërsa segmenti i tretë, ku janë pezulluar punimet, nis nga kjo shkollë e përfundon në Lundër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›