E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çdo ditë 1 denoncim për burrat e dhunshëm

08/06/2011  DURRES- Dymbëdhjetë gra kanë denoncuar burrat e tyre në dhjetë ditët e fundit për shkak të presionit psikologji, kanosjes e dhunës fizike të ushtruar ndaj tyre. Në të gjitha rastet gratë janë të moshës mbi 30 vjeç dhe shkak i grindjes mes palëve që kanë pasur më pas me kallëzimin penal të bashkëshorteve është bërë xhelozia. Marrëdhëniet në çift kanë nisur të shfaqin lëkundjet e tyre në kohën që gratë kanë shfaqur kërkesat e tyre për t’u punësuar. Burrat janë të moshës nga 30 vjeç deri në moshën 48 vjeç dhe në të gjitha rastet policia ka mësuar se gratë janë dhunuar edhe fizikisht prej tyre.

Dhuna

Burrat e dhunshëm janë përpjekur të shfajësohen duke u munduar të bindin policinë se në cilësinë e bashkëshortëve dhe kryefamiljarëve ndeshen me veprime, të cilat vlerësohen të pakapërcyeshme për ta. Në dhjetë ditët e fundit, saktësisht nga 25 maji e deri një ditë më parë 12 gra kanë vendosur të deponojnë kundër burrave të tyre. Pasi janë bindur se ndihen të pafuqishme të ndalojnë kanosjen e dhunimin ata i janë drejtuar policisë. Shenjat e dukshme në pjesë të ndryshme të trupit dhe kallëzimet që bëjnë fjalë për presione e kërcënime të ndryshme kanë bindur policinë të vendosë për marrjen e tyre në mbrojtje duke u bërë të ditur burrave se çdo përpjekje për të vënë dorë mbi gratë ndëshkohen me ligj. Çështja është bërë problematike edhe për gjykatën e përmbarimin. Në jo pak raste bashkëshortët në seancën e ballafaqimit që shërben edhe si përpjekje për pajtim kanë mbyllur çështjen, ndërsa jo shumë kohë më pas janë rikthyer në gjendjen e mëparshme. Për të gjitha rastet e bëra objekt kallëzimi, policia është deklaruar se shkak është bërë xhelozia. Burrat në të 12 rastet janë në moshë të pjekur duke mos lënë pa përgjegjësi edhe gratë lidhur me marrëdhëniet e krijuara në çift. Disa nga shtetasit kanë dëshmuar në polici shkaqet e grindjeve me gratë e tyre, si dhe dyshimet, por policia nuk ka dhënë hollësi duke u përpjekur të mos bëjë publike çështjet personale të këtyre bashkëshortëve në krizë. Në të gjitha rastet e kallëzimeve gratë janë shoqëruar nga psikologe, ndërsa një pjesë e tyre mësohet se kanë pasur nevojë për terapi për shkak të traumave të forta që kanë ndier në sherret me burrin e shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›