E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor, nxjerr nul kallëzimin kundër Ristanit

08/06/2011  Prokuroria pritet të marrë vendimin për pushimin e dosjes penale të PS

Ekspertët: Akuza nuk mund të veprojë kundër gjykatës

TIRANE-Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të legjitimuar veprimet e KQZ jo vetëm që i ka përmbysur fitoren PS në Tiranë, por ka nxjerrë nul edhe kallëzimin penal që kjo forcë politike ka depozituar në Prokurori kundër Arben Ristanit dhe tre anëtarëve të tjerë të KQZ. Ky vendim ka bërë që lidhur me këtë çështje të futet në diskutim dhe Prokuroria, e cila momentalisht mësohet se s’ka marrë asnjë vendim nëse do vazhdojë hetimet ose jo, por burimet thonë se në ditët në vazhdim dosja do mbyllet. Duke ju referuar gjithmonë këtyre burimeve grupi i prokurorëve të organit të akuzës pritet të vendosin mosfillimin e çështjes me një arsyetim mjaft të thjeshtë dhe konciz sepse Kolegji Zgjedhor në vendimin e dhënë ditën e premte nuk ka gjetur asnjë shkelje në veprimet që ka kryer kryetari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave në kutinë e gabuar. “Organi i akuzës nuk mund të dalë mbi gjykatat, pasi në rast të kundërt të gjitha veprimet e Prokurorisë do të quheshin të jashtëligjshme dhe për pasojë, dosja dhe akuzat që mund të ngrihen do të rrëzoheshin nga gjykata”,- thanë burimet pranë akuzës kryeqytetase. Padia e cila është dorëzuar më 20 maj ka të bëjë me ecurinë e procesit të zgjedhjeve, që prej numërimit të kutisë së fundit, e cilësuar kjo nga PS si një skemë për të manipuluar rezultatin përfundimtar të Tiranës. Gjithashtu në këtë kallëzim janë cituar nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor, sipas së cilave votat e hedhura në kutitë e gabuara janë cilësuar si të pavlefshme, deri në daljen e rezultatit paraprak për Tiranën. Më tej, numëruesit dhe anëtarët e KZAZ-ve, të propozuar nga “Koalicioni për qytetarin”, ndryshuan qëndrimin, duke i konsideruar votat e pavlefshme si "të kontestuara". Kjo, sipas Partisë Socialiste, është shkelje e ligjit, e cila e ka dërguar veprimin e kryetarit të KQZ-së, në Prokurori. Por menjëherë pas vendimit që ka dhënë Kolegji duke e cilësuar vendimin e marrë nga KQZ si të vlefshëm e të bazuar në ligj ka shumë gjasa që kallëzimi i PS të pushohet. Ndërsa për kallëzimin tjetër të bërë për më shumë fletë votimi të hedhura në kuti se votues, burime nga Prokuroria bënë me dije se prokurorët po hetojnë dhe se çdo gjë ka kohën e saj të hetimit dhe të verifikimit.

Beteja me kallëzimet

Fushata pas zgjedhore në vend u shoqërua me konflikte mes dy forcave politike të vendit. Si PD, ashtu dhe PS, ndërmorën masa ligjore duke depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzime penale. Momentalisht këto dosje janë duke u hetuar, ndërkohë që për disa prej tyre është pacaktuar fati që në nisjen e hetimeve. Nën hetim janë çështje që lidhen dhe me veprimtarinë e 16 deputetëve të PS kundër forcave të policisë që ishin vënë në ruajtje të institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›