E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojne metodat e te mesuarit ne grup

Në shkollat tona mungojnë metodat interaktive të mësimdhënies. Mësuesit flasin pothuajse gjatë të gjithë orës dhe nxënësit dëgjojnë.
Në këtë përfundim ka dalë Banka Botërore e cila në studimin “Si mësuesit japin mësim në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm” thotë se në një orë 45 minutëshe, mësuesit flasin për 32 minuta ose 70% të kohës dhe 13 minuta mbeten për përbërësit e tjerë të orës së mësimit nga të cilat nxënësit flasin 10.2 minuta, idetë e tyre janë 30 sekonda dhe 2.5 minuta është heshtje. Ndërkohe sipas raportit të Bankës Botërore kushtet në klasa lënë shumë për të dëshiruar. Në shumë prej tyre mungon ndriçimi, ventilimi dhe ngrohja. 
“Nxënësit ulen në banka të ndarë në rreshta dhe vetëm pak prej shkollave kanë një lloj tjetër sturkture të klasave“- thuhet në studim. Punët në grup janë të pakta dhe mësimi jepet në të njëjtën menyre si për Letërsinë ashtu edhe për Kiminë apo Fizikën, lëndë që kërkojnë më tepër të mësuarin praktik. Sipas Bankës Botërore metodat e mësimdhënies janë pak a shumë të njëjta në të gjithë territorin e vendit ndërkohë që sipas ekspertëve mënyra e dhënies së mësimit është e domosdoshme të rikonceptohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›