PS: Gjyqet ndaj nesh, shembull i degradimit të gjyqësorit
Tiranë- Kreu i grupit kuvendor të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi i ka cilësuar si të motivuara politikisht dhe si procese mjaft serioze që cënojnë demokracinë, shtetin ligjor dhe pavarësinë e gjykatave gjyqet që kohet e fundit po hapen ndaj deputetëve të saj.
E kam fjalën për gjyqet politike ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, të akuzuar nga familjarë të kryeministrit, nga ministra të kësaj qeverie dhe nga deputetë të kësaj mazhorance- tha Ruçi.
Sipas PS-së gjyqi ndaj deputeti Saimir Tahiri, i akuzuar nga familjarë të kryeministrit, është një proces gjyqësor tërësisht i njëanshëm, i deformuar që në themel, dhe i paracaktuar në vendimin e tij për të dënuar me çdo kusht deputetin e kësaj force politike.
Dhe sipas zotit Ruçi kjo e ka një shpjegim: Ka vetëm një motiv pse këta deputet sot gjenden në dyert e gjykatave, të gjykuar nga gjyqtar që nuk bëjnë drejtësi, por që si klientë të bindur të pushtetit, bëjnë padrejtësi në emër të pushtetit. Arsyeja është e thjeshtë dhe një e vetme: Saimir Tahiri, Mimi Kodheli, Vasilika Hysi, Erjon Brace, Eduart Shalsi, Artan Gaci, Taulant Balla, Ermonela Felaj, Eltar Deda, Olta Xhacka, e shumë të tjerë kanë pasur dhe kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të kësaj qeverie, të këtij kryeministrit, të familjarëve të tij, të ministrave të tij dhe deputetëve të pushtetit.
Ruçi në emër të PS denoncon këto procese gjyqësore si farsa të montuara politikisht. Këto procese gjyqësore po kthehen në simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit politik, në simbol të uzurpimit të drejtësisë nga ekzekutivi, në simbolin e çmontimit të sistemit të drejtësisë që qëndron në themel të shteti ligjor. Këto gjyqe po kthehen në kamzhik politik të qeverisë ndaj deputetëve të opozitës, me synimin për ti mbyllur gojën kujtdo që tregon me gisht vjedhjen, të kujtdo që tregon me gisht korrupsionin, të kujtdo që tregon me gisht keqpërdorimin e pushtetit, e bashkë me to përgjegjësit që kanë qeveritarët, deputetët e mazhorancës dhe familjarët e tyre.
Por këto procese gjyqësore po nxjerrin në dritë, deformimin e tmerrshëm të sistemit gjyqësor për çdo qytetar të ndershëm që përplaset përditë në dyert e gjykatave. Sot në gjykatë fiton i forti, jo e drejta. Fiton ai që ka pushtet, jo ai që ka të drejtë. Fiton ai që ka para, jo ai që kërkon drejtësi- tha ai.
Duke shtuar se procestet gjyqësore ndaj deputetëve të PS-së, të paditur nga deputetë të maxhorancës qeverisëse po japin atë që zoti Ruçi e quajti shembulli i shkatërrimit alarmant të drejtësisë shqiptare.
Sot qytetari i thjeshtë rropatet dyerve të gjykatës me vite të tëra, në pritje të një procesi gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe transparent. Në këmbim merr vetëm nëpërkëmbje dhe cënimin e interesave që duhet ti mbrojë kushtetuta dhe ligji.
Proceset gjyqësore ndaj deputetëve të opozitës, po kthehen në shembullin e dhunshëm të shkatërrimit alarmant të drejtësisë, nga gjyqtar që preferojnë pushtetin në vend të ligjit, që preferojnë padrejtësinë dhe korrupsionin në vend të drejtësisë. Kush ka menduar se opozita do të hesht, ka bërë llogaritë gabim…- tha deputei i PS-së, deklaratat e zotit Ruçi erdhën një ditë para se të zhvillohet seanca e parafundit gjyqësore ndaj deputetit Tahiri, i paditur nga fëmijët e kryeministrit Berisha.
Dorina Bilbili/IDEA/