Mungon transparenca buxhetore

Instituti për Studime të Avancuara GAP, publikoi analizën “Buxheti i Kosovës – transparenca dhe format e raportimit buxhetor”, e cili trajton problematikën e hartimit, shpenzimit dhe raportimit buxhetor.
Në bazë të hulumtimeve dhe punës afro njëvjeçare, GAP me këtë raport konstaton se në përgjithësi mungon transparenca buxhetore.
Procesi i buxhetimit dhe raportimit buxhetor nuk i plotëson standardet më të mira të transparencës dhe llogaridhënies. Në analizë janë dhënë edhe rekomandime se si të përmirësohet procesi buxhetor dhe sidomos transparenca në shpenzimin e parasë publike. Analiza u prezantua nga Agron Demi, Drejtor Ekzekutiv i GAP.
Përveç analizës, GAP në konferencë për media prezantoi edhe platformën online “Si i shpenzon shteti paret tona?” – platformë e cila synon të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike. Prezantimi i platformës u bëri Dren Pozhegu – hulumtues në GAP.
Së bashku me stafin e GAP, në prezantim ishte edhe Ambasadori i Ambasadës Britanike në Prishtinë Ian Cliff. Z.Cliff prezantoi shembuj të suksesit dhe transparencës në Britaninë e Madhe dhe argumentoi se përse është e nevojshme që të kemi transparencë më të madhe buxhetore.
Buxheti shtetëror është një nga instrumentet më të rëndësishme ekonomike të cilin e ka në dispozicion Qeveria e Kosovës. Hartimi dhe shpenzimi i buxhetit të Kosovës ka qenë kompetencë e institucioneve vendore që nga themelimi i Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse. Mirëpo, edhe pas më shumë se një dekadë nga koha kur institucionet vendore kanë gëzuar të drejtën për hartimin dhe shpenzimin e buxhetit shtetëror, ekzistojnë probleme të mëdha në procedurat e hartimit, shpenzimit dhe raportimit të buxhetit.
Buxheti i Kosovës në disa raste është aprovuar me nguti dhe pa debat në Kuvendin e Kosovës. Forma aktuale e ndarjeve dhe raportimeve buxhetore nuk është e detajuar në atë nivel sa për t’ia mundësuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të kuptojnë qartë mënyrën e ndarjeve dhe shpenzimit të parasë publike.
Në tri vitet e fundit, Ministria e Financave ka reduktuar formatin e raportimit buxhetor në baza tre mujore dhe vjetore, duke e ulur edhe më tej transparencën dhe llogaridhënien për mënyrën e shpenzimit të parasë publike. Organizatat buxhetore nuk publikojnë në uebfaqet e tyre raportet e detajuara të shpenzimeve buxhetore.
Nga 19 ministri sa ka Qeveria e Kosovës, vetëm Ministria e Drejtësisë publikon të dhëna në baza të rregullta për shpenzimin e buxhetit të këtij institucioni. Institucionet e pavarura nuk publikojnë raporte të veçanta për shpenzimet e buxhetit, por mjaftohen vetëm me publikimin e raporteve vjetore të performancës në kuadër të të cilave ndodhet një përshkrim i shkurtër i buxhetit të institucionit. Nga 37 komunat e Kosovës, vetëm Komuna e Malishevës ka të publikuara raportet periodike për shpenzimin e buxhetit, kurse pjesa më e madhe e komunave nuk kanë të publikuar buxhetin. Përveç Komunës së Prizrenit, asnjë komunë tjetër nuk ka lejuar qasje në kartelën analitike të kontos.
Politikat buxhetore kanë qenë objekt kritikash edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Me qëllim të eliminimit të defekteve në procesin e hartimit, shpenzimit dhe raportimit buxhetor, Instituti për Studime të Avancuara GAP rekomandon marrjen e një sërë masash, si: planifikim më i mirë buxhetor nga ana e organizatave buxhetore; ndarjet buxhetore të cilat dërgohen në Kuvendin e Kosovës për aprovim duhet të jenë më të detajuara dhe të shmangin kategoritë e paqarta buxhetore; raportimet periodike tre mujore dhe vjetore duhet të jenë më të detajuara dhe së paku të përfshijnë të dhëna për mënyrën e shpenzimit të buxhetit në ato kategori të aprovuara nga Kuvendi me anë të Ligjit për buxhetin; Ministria e Financave (MF) duhet të obligojë organizatat buxhetore që të publikojnë me rregull raportet e detajuara për shpenzimet e buxhetit; MF duhet të publikojë në formë të qasshme (“Excel format”) ndarjet dhe shpenzimet buxhetore me qëllim që t’iu mundësoj organizatave dhe individëve të kenë më të lehtë analizimin e buxhetit./Indeksonline/.