E Shtunë, 31 Tetor 2026

Municione luftarake në Delvinë, policia kërkon autorët

DELVINE - Një sasi municioni u gjet sot në afërsi të Delvinës, ndërkohë që ende nuk ka gjurmë të autorëve. Sasia është gjetur në fshatin Sernicë të komunës Vergo. Siç bëjnë me dije burime zyrtare të policisë së qarkut, municionet kanë qenë të ndara në 14 arka, të mbushura me fishekë dhe dy arka të tjera kanë qenë me granata.

Ato u gjetën në një terren të fshehur, ndërkohë që policia ka vepruar në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative. Pasi kanë gjetur sasinë me municione, e janë kryer procedurat e rastit, fishekët dhe granatat janë transportuar drejt komisariatit të Delvinës. Paralelisht kanë nisur hetimet mbi 'pronarët' dhe mënyrën e transportimit të armatimeve. Specialistë të policisë që po merren me çështjen nuk bëjnë me dije asnjë detaj tjetër për shkak të hetimeve.

Disa muaj më parë, po në një zonë afër Delvinës, u kap një tjetër sasi e konsiderueshme municioni, e fshehur në një tunel, e vendosur aty rishtazi. Sasitë e fishekëve, të gjetura në këtë zonë, brenda një harku të shkurtër kohor, nuk kanë përjashtuar dyshimet, se ato mund të kenë lidhje me njëra tjetrën për nga autorësia.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›