E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muri i fundit i bllokimit do të provohet se është një mur prej letre

26-12-2012 / Gazeta 55

Në Ditën e Lindjes së Krishtit, Kryeministri Berisha ka kujtuar se “Ata që shembën kishat dje, kanë ngritur murin e bllokimit sot” dhe deklaron se 23 qershori do jetë dita kur do rrëzohet edhe muri i ri, i cili është prej letre, një karikaturë e murit izolacionist të diktaturës komuniste
Deklarata/“Ata që shembën Kishën 60 vjet më parë, ata që ngritën mure të tjera, ata mbetën në rrënojat e atyre mureve”

Kryeministri Sali Berisha uroi dje të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë e ortodoksë, të krishterët Ungjillorë, por edhe të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Krishtlindjeve.
Kryeministri Berisha përcolli mesazhet e tij të urimit nëpërmjet vizitave të bëra në Katedralen e re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, Katedralen e Shën Palit, si dhe në Kishën Ungjillore (Protestante) në Tiranë, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndante me ta gëzimin e kremtimit të kësaj ditë të shenjtë e të bekuar në historinë e njerëzimit, Ditën e Lindjes së Krishtit. “Kjo ditë u shpreh Kryeministri, është dita e mrekullisë së madhe, e mrekullisë në shumë aspekte, e mrekullisë pasi lindi Hyji dhe burri, i cili ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e qytetërimit perëndimor, por edhe e mrekullisë tokësore”.
Kryeministri tha se këto Krishtlindje të cilat festohen në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë do të mbahen mend pasi shqiptarët në këtë përvjetor u ndjenë më pranë se kurrë me njëri-tjetrin dhe më të bashkuar se asnjëherë në historinë e tyre kombëtare.
“Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100 vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurt se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane”, u shpreh në urimet e tij kryeministri.
Gjithashtu, krahas urimeve për ditën e shënuar, kreu i qeverisë foli dhe për perspektivën evropiane të vendit dhe pengesat e krijuara nga opozita ndaj këtij procesi. Kreu i ekzekutivit paralelizoi regjimin hoxhist që shembte Kisha e Xhamia 60 vjet më parë, me nomenklaturën e neobllokmenëve të sotëm që bllokojnë statusin e vendit kandidat në BE. Për kryeministrin, “muri i bllokimit do faktohet shumë shpejt si mur prej letre”. 

Urimi i kryeministrit në Katedralen Ortodokse, “Ringjallja e Krishtit”
Në Katedralen e Re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, kryeministri Berisha u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe drejtues të tjerë të kësaj Kishe.
Pas takimit me ta, kryeministri drejtoi për të gjithë besimtarët ortodoksë, por edhe të gjithë besimtarët e Zotit urimin e zakonshëm, duke e cilësuar Krishtlindjen si ditë e shenjtë dhe të bekuar nga zoti. Kryeministri Berisha ngriti si shqetësim bllokimin e integrimit të vendit, duke hequr paralele mes regjimit diktatorial që shembi Kishën 60 vjet më parë, me nomenklaturën e neobllokmenëve që sot kanë ngritur murin e bllokimit. “Ata që shembën Kishën 60 vjet më parë, ata që ngritën mure të tjera, ata mbetën në rrënojat e atyre mureve. Vlerave nuk u reziston asnjë mur dhe ky mur i fundit i bllokimit do të provohet saktësisht si një mur letre në kohërat që vijnë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje dhunën barbare që regjimi diktatorial hoxhist, ushtroi ndaj objekteve fetare dhe besimit të njerëzve te zoti. Në këtë drejtim, kryeministri tha se regjimi komunist rrafshoi në qendër të Tiranës Kishën Ortodokse, për të ndërtuar aty “Hotel Tiranën”, me qëllim që Kisha të ndryhej në banesën e harresës. Por, 22 vjet nga rikthimi i shqiptarëve me besimin tek zoti, sot në qendër të Tiranës është ndërtuar Kisha më madhështore se ajo disa dekada më parë, e cila qëndron si një monument i fuqishëm i vlerave të mëdha hyjnore dhe njerëzore dhe si një dëshmi se lufta me vlerat është një betejë fatalisht e humbur, se ajo nuk mund të fitohet kurrë.
“Kam kënaqësinë të uroj sot të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, besimtarët e krishterë dhe besimtarët e Zotit, në këtë ditë feste, kremtimi, ditë të shenjtë, ditë të bekuar, ditën e lindjes së Krishtit, Hyjit dhe burrit që me moralin e tij ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e qytetërimit perëndimor, ditë lindje, ditë shprese e pashuar. Në të vërtetë  është dita e mrekullisë së madhe, e mrekullisë në shumë aspekte, e mrekullisë se lindi burri që ndryshoi botën, por e mrekullisë edhe tokësore. Sot unë urova Fortlumturinë e tij, Imzot Janullatosin, në këtë Kishë të bukur, madhështore, në këtë Katedrale, e cila dekada më parë ishte e ndërtuar madhërishëm aty ku sot është ‘Hotel Tirana’. Në udhëtimin tim të parë në Tiranë, një nga gjërat që unë vizitova natyrisht ishte dhe Kisha Ortodokse në qendër të qytetit, një kishë e bukur, plot piktura dhe ikona, në memorien time, ndër më të mëdhatë, ose më e madhja. Kishën e rrafshuan barbarisht bllokmenët hoxhist në një akt të njëjtë me atë të Neronit. Duke menduar se do të ndërtonin aty një hotel, menduan se Kisha do të ndryhej në banesën e harresës. Sot Kisha është më madhështore se ajo që ishte dekada më parë në qendër të Tiranës. Sot Kisha është në qendër të Tiranës, ajo qëndron si një monument i fuqishëm i vlerave të mëdha hyjnore dhe njerëzore, si një dëshmi se lufta me vlerat është një betejë fatalisht e humbur, se ajo nuk mund të fitohet kurrë. Mund ti nëpërkëmbësh vlerat, një ditë apo një vit, por ato rikthehen më fuqishëm, ngjallen, mbijnë nga toka, nga shpirti i njerëzve. Me këtë rast unë dua t’i shpreh një mirënjohje të thellë Fortlumturisë së Tij Imzot Janullatosit, i cili ka dëshmuar një përkushtim të jashtëzakonshëm që nga gurët e themelit të kësaj Katedraleje deri në kupolën e saj të mrekullueshme, madhështore dhe të bukur, dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij i dhuroi kryeqytetit, një nga monumente më madhështore të kultit Kishën Ortodokse të Ringjalljes”, u shpreh kryeministri Berisha.
Gjatë kësaj vizite në Katedralen e Re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, kryeministri mori dhuratë një kodik të shekullit të 10-të nga kryepeshkopi, Janullatos.
“U largova me një dhuratë shumë të çmuar nga Imzot Janullatosi. Ky është një Kodik i shekullit të 10-ë, njëra kopje origjinale e të cilit ndodhet në Korçë, ndërsa kopja tjetër gjendet në njërin prej universiteteve më të famshëm të Botës, Universitetin Princeton, si dëshmi e kulturës sonë të lashtë. Nën kujdesin direkt të Fortlumturisë së Tij, Imzot Janullatosit, Kodiku është përkthyer, duke pasuruar kështu fondin  e madh, kulturor, fetar, shpirtëror të shqiptarëve, të cilët e theksoj edhe njëherë edhe kur Kisha u nda nga Vija e Teodosit, ata mbetën një komb i bashkuar në meritën e tyre më të madhe”, tha Berisha.
Ai theksoi rëndësinë e këtyre Krishtlindjeve në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Sipas tij, shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë në historinë tonë kombëtare. Krishtlindjet e ardhshme, tha Berisha, do jemi më pranë ëndrrave dhe idealeve, për bashkimin kombëtar dhe integrimin evropian. “Këto krishtlindje i kremtuam në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më të bashkuar se kurrë në historinë tonë kombëtare. Shqiptarët, që nga fillimi i ekzistencës së tyre deri më sot, në këtë përvjetor janë ndjerë më afër njëri tjetrit, më të bashkuar se në të gjithë historinë e tyre. Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100 vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurt se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane”, vijoi Berisha.

Kryeministri viziton Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare 
Pas vizitës në Katedralen Ortodokse, kryeministri Berisha vijoi vizitën e tij, në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, ku u prit nga Presidenti i kësaj Vëllazërie Fitor Muça.
Berisha shprehu nderimin e madh për udhëheqësit shpirtëror të ungjillorëve shqiptarë, kudo që ata ndodhen.
Kryeministri i cilësoi ungjillorët shqiptarë, si një traditë e shkëlqyer, e hershme e kombit shqiptar, me një trashëgimi atdhetare të flaktë. “Erdha për të shprehur nderimin tim më të madh për udhëheqësit shpirtëror të ungjillorëve shqiptarë, për të gjithë ungjillorët shqiptarë kudo që ndodhen, në Shqipëri, në trojet etnike shqiptare, në diasporë dhe kudo që janë. Ungjillorët janë një traditë  e shkëlqyer, e hershme e kombit shqiptar, me një trashëgimi atdhetare të flaktë. Ata në kohërat më të vështira të kombit kanë qenë avokatët më të vendosur të tij, në të gjitha arenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ata kanë dhënë një kontribut thelbësor në alfabetin dhe kulturën tonë kombëtare, në mbrojtjen e idealeve kombëtare”, tha kryeministri.

Kryeministri Berisha u ndal në Katedralen e Shën Palit në Tiranë
“Dita e Krishtlindjes është dita e shpresës së pashuar. Asgjë nuk është më frymëzuese, më shpresëdhënëse se lindja e aq më tepër kur kjo ditë lidhet me lindjen e Jezu Krishtit”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, në mesazhin e tij për festën e Krishtlindjeve, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
Duke theksuar se shqiptarët festuan në këtë 100 vjetor të bashkuar rreth idealit kombëtar, kryeministri tha se këto Krishtlindje i kremtojmë pasi përjetuam një moment që pritej prej një shekulli. “Një moment në të cilin shqiptarët vërshuan nga të katër anët  e trojeve shqiptare, nga të katër anët e planetit për të shuar mallin  e tyre për njëri-tjetrin, për kombin për dheun e tyre. Ky ishte një pelegrinazh drejt tokës së tyre i pritur prej 100 vitesh. Një pelegrinazh në shenjën e idealit të bashkimit kombëtar. Nuk ka asgjë që mund të na bëjë ne më krenarë në këtë ditë të shenjtë, se sa ky zhvillim. Le të urojmë se bashku që Krishtlindjen tjetër ta bëjmë më mirë, më të bashkuar, më të begatë dhe më afër ëndrrës sonë evropiane. Sot është një ditë nderimi të madh për sakrificën sublime të dhjetëra dhe qindra klerikëve shqiptarë që mbrojtën me vetëmohim shembullor besimin e tyre tek Krishti dhe Zoti dhe ranë të pamposhtur, një nderim i madh për të gjithë udhëheqësit shpirtëror fetar, që në këto 20 vite ndërtuan nga hiri, nga rrënojat të gjithë infrastrukturën shpirtërore te kombit, duke u bërë kështu një burim i madh frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Le të urojmë ne që Krishtlindjet e reja të na gjejnë më afër në projektin tonë evropian, më të bashkuar me njëri-tjetrin, më të bashkuar me Evropën”, u shpreh Berisha. Kryeministri iu referua dhe bllokimit të integrimit nga Partia Socialiste, duke e cilësuar këtë si mur prej letre. “Muret e antivlerave të bllokimit që ngrihen nga pasardhës të atyre që rrënuan me besimin idiot se kishat dhe xhamitë nuk mund të rikthehen më, ato do të provohen se janë mure prej letre. Le të urojmë ne që Krishtlindjet e reja të na gjejnë më afër me Evropën!”, përfundoi kryeministri Berisha.

Kryeministri Sali Berisha në Facebook, një mesazh për Krishtlindje

“Udhëtimi im i parë në Tiranë - vizitat në Kishën Ortodokse, atë Katolike si dhe në xhaminë pranë Sahatit”

Sot shkova për vizitë në selitë e udhëheqësve më të lartë të besimit të krishterë në Shqipëri. Urova përzemërsisht ata dhe të gjithë besimtarët e krishterë, besimtarët e Zotit në këtë ditë të shenjtë. Në këto vizita, në Katedralen e “Shën Palit” dhe Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, me erdhi në mendje udhëtimi im i parë në moshën 14 vjeçare për në Tiranë si dhe dita ime e dytë në kryeqytet. Gjatë rrugës, në Vaun e Dejës, ura mbi lumin Drin ishte e pasigurt ndaj dhe na zbritën nga autobusi për të kaluar urën në këmbë. Unë përfitova nga kjo dhe vrapova për të vizituar kishën mahnitëse që ndodhej pak metra larg nga ura, për të cilën kisha lexuar se ishte kisha me e vjetër e vendit. Në Tiranë erdha dy ditë para fillimit të shkollës. Pasi u regjistrova në shkollë dhe në konvikt ditën e parë, të nesërmen, që ishte ditë e diel, i vetëm rrugës së Dibrës zbrita për në qendër. U solla nëpër shesh dhe më pas, në qendër të kryeqytetit vizitova xhaminë, afër Sahatit. Më pëlqeu shumë nga jashtë, por brenda nuk hyra dot pasi ishte e mbyllur. Më pas vizitova Kishën Ortodokse, ndërtesa më e madhe në krah të saj, hijerëndë dhe shumë e madhe, plot me ikona dhe piktura murale. Pak më tutje vizitova Kishën Katolike, e cila nuk ishte aq e madhe, por shumë e bukur. Në betejën kundër Zotit, bllokmenët hoxhist, Kishën në Vaun e Dejës e hodhën në erë me dinamit. Kishën e madhe Ortodokse dhe Kishën Katolike afër saj i rrafshuan dhe ndërtuan mbi truallin e tyre Hotel Tiranën dhe Hotel Pezën, të bindur se fituan betejën kundra Zotit. Por mashtruan veten. Vërtet ata në një akt barbarie shkatërruan vlera, thesare përrallore të trashëgimisë sonë, por ja sot Katedralja e “Ringjalljes se Krishtit” dhe Katedralja e “Shën Palit” ngrihen madhështore përsëri në qendrën e kryeqytetit tonë. Natyrisht nuk kanë lashtësinë e tyre, por kanë krenarinë e ringjalljes dhe të dëshmimit se betejat me Zotin dhe ato kundër vlerave, të dënojnë me honet e historisë. Sot bijtë e atyre që minuan e rrafshuan kishat, xhamitë dhe teqet dhe që ne i përmbysëm në vitin 90-të, kane ngritur para nesh në këtë 100 vjetor murin e bllokimit për statusin e vendit kandidat. Kot e kanë. Më 23 qershor do t’ju rezervojmë fatin e etërve të tyre dhe do shembim me votën tonë edhe murin e tyre të bllokimit. Edhe një herë Gëzuar Krishtlindjen!.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uron Krishtlindjen të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë

“Besimi fetar pasuri shumëshekullore që na mëson të mbështetemi te mirëkuptimi”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes. Në këtë ditë, Presidenti apeloi për më shumë mendje ndaj njerëzve në nevojë, tek ata që ndihen të vetmuar, ata që kanë humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë. “Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore”, e nis mesazhin e urimit presidenti Nishani.
Duke vlerësuar traditën e historike dhe kulturore të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, kreu i shtetit thekson se kjo pasuri shumëshekullore na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin, si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. “Kremtimi i Krishtlindjes është një tjetër mundësi për të forcuar lidhjet tona shumëshekullore, në mënyrë që të përballojmë me sukses sfidat që kemi përpara si shoqëri dhe si komb. Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarish në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore. Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë! Gëzuar Krishtlindjen! Lumturia familjare, shëndeti i plotë dhe begatia mbizotërofshin në shtëpitë tuaja!”, përfundon mesazhi i kreut të shtetit, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›