E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mazhoranca i është përmbajtur premtimeve. Pengmarrja e statusit merr fund në 23 qershor

26-12-2012 / Gazeta 55

“Gjatë vitit 2012 qeveria i është përmbajtur besnikërisht programit të saj, duke konsoliduar më tej fytyrën njerëzore dhe zemrën e dhimbsur”

  “Gjatë këtij viti qeveria shqiptare i është përmbajtur besnikërisht programit të saj, duke konsoliduar më tej fytyrën njerëzore dhe zemrën e dhimbsur, si një qeveri e cila në kushtet e një krize të paprecedent në Evropë, ia doli që ekonomia shqiptare të mos ta njohë recensionin”, u shpreh sot kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit për vitin 2012.

Kryeministri tha se në sajë të reformave të ndërmarra nga qeveria, Shqipëria e meritoi plotësisht statusin e vendit kandidat për Komisionin Evropian, përveç tre ligjeve të depozituara në parlament, por të pavotuara për shkak të politikës bllokuese të ndjekur nga zoti Rama. “Zoti Rama, që parandien një disfatë të thellë dhe i pashpresë në zgjedhjet e 23 qershorit mendon se duke lënë vendin pa status do të ndihet më mirë, si ai që të keqen e vet do ta shndërrojë në të keqe për të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të ndodhë, 23 qershori do të shembë murin e bllokimit të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurtë drejt integrimit.” u shpreh kryeministri Berisha.

Më tej, kryeministri Berisha parashtroi një sërë projektesh për të cilat është rënë dakord në Komitetin shtetëror të 100 vjetorit të pavarësisë dhe që mbeten për tu realizuar në muajt në vijim.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Kjo është mbledhja e fundit e kabinetit të këshillit të ministrave për vitin 2012. Ne vijmë në këtë mbledhje si një qeveri, e cila i është përmbajtur besnikërisht programit të saj, e cila ka konsoliduar më tej fytyrën njerëzore dhe zemrën e dhimbsur, ndofta edhe më mirë, sipas gjasave se dhjetëra e dhjetëra qeveri të tjera, si një qeveri e cila në kushtet të një krize të paprecedent në Evropë dhe në botë ia doli që në sajë të reformave te saj ekonomia shqiptare të mos njohë recensionin dhe në vitin më të vështirë, si një qeveri e cila përfundoi një vepër tjetër madhore, pas rrugës së kombit, tunelin e Kërrabës, ëndërr shekullore kjo e shqiptarëve dhe qindra kilometra autostradë, rrugë kombëtare, mijëra kilometra rrugë dytësore dhe tretësore në mbarë vendin, si një qeveri e cila me ambicie të mëdha ndryshoi në mënyrë rrënjësore sistemin arsimor të vendit.

Këtë vit u inaugurua një zinxhir i tërë shkollash ndër më modernet në Shqipëri, por dhe më gjerë. Një qeveri e cila ndër më të paktat rriti rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se indeksi i çmimeve, si një qeveri e cila me reformat  e saj meritoi për KE plotësisht statusin e vendit kandidat, përveçse tre ligjet që  qeveria i ka depozituar në parlament, por që zoti Rama, që parandien një disfatë të thellë dhe i pashpresë në zgjedhjet e 23 qershorit mendon se duke lënë vendin pa status do të ndihet më mirë, si ai që të keqen e vet do ta shndërrojë në të keqe për të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të ndodhë, 23 qershori do të shembë murin e bllokimit të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurtë drejt integrimit. E mbajti peng për tre vite me rradhë, do ta ketë barrë në qafë për gjithë jetën këtë që i bëri vendit, por demokracia kjo është, funksionon mbi bazën e rregullave paqësore dhe në këtë kontekst nuk ka zgjidhje përveçse zgjedhjet  e përgjithshme, rrëzimin  e murit të bllokimit me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe shpresën dhe besimin se socialistët do të kenë zërin e tyre, në mbrojtje të interesit kombëtar dhe shoqëror, pasi në fakt kanë fatkeqësinë më të madhe të qeverisen jo nga socialistë, por nga neobllokmenë dhe 99-sha sepse këtë nuk e bënin dot kurrë socialistët e vërtetë shqiptarë, ata të cilët 20 vite kanë kontribuar në ndërtimin e socializmit me qëndrimet e tyre, me veprimtarinë  tyre, kanë kontributin e vet për ndërtimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin ndërkombëtar për njohjen e Republikës së Kosovës. Shqipëria ka qenë dhe mbetet një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në të gjitha fushat ka patur një konsolidim të mëtejshëm të progresit. U shpallën rezultat e censusit të cilat treguan se kemi të bëjmë me një Shqipëri tjetër shumë, shumë më të avancuar. Sidoqoftë një bilanc përfundimtar do të bëjmë gjatë ditëve të para të vitit që vjen.

Por ajo që mund të them është se qeveria bëri më të mirën që kremtimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të ishte në lartësinë dhe në dinjitetin e merituar. Në këtë kontekst për të gjitha këto dua të shpreh një mirënjohje shumë të thelle ju, zotërinj, ministra, bashkëpunëtorëve tuaj dhe të gjithë punonjësve të administratës. Është puna  e tyre, përkushtimi i tyre,   ekspertiza e tyre që bëri të mundur që ky vit në kushtet e një krize të thellë të jetë sërish një vit suksesi për shqiptarët, një vit në të cilën ekonomia shqiptare nuk njohu recensionin, por përkundrazi njohu një rritje të qartë dhe të padiskutueshme. Jo të paktë janë ata, të cilët bërtasin se ka rënë fuqia blerëse. Dua tu shtroj një pyetje, në një vit që blihen rreth 538 mijë vetura cila është rënia e fuqisë blerëse? Fuqia blerëse është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe këtë e fakton në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë libri i shitjeve, në republikën e Shqipërisë që bazohet në deklarata të bizneseve të vendit që dëshmojnë se shitjet në Shqipëri kanë një rritje dyshifrore. Atyre të cilët duan të na thonë se borxhi duhet të llogaritet si përqindje GDP, unë dua tu them se rritjet e sivjetshme krahasuar rritjet e vjetshme janë dy shifrore dhe fuqia blerëse është më e fortë.

Zotërinj ministra,

U mblodh pardje komiteti ndërshtetëror i festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Komiteti konstatoi se megjithë punën e madhe që është bërë në të gjitha aspektet kanë mbetur në ndjekje dhe disa probleme madhore dhe ato jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Kanë mbetur për përgjigje dhe finalizim ndërtimi i muzeut të Spaçit, kampi i përqendrimit më i tmerrshëm në të gjithë Evropën, në nderim të vuajtjes, sakrificës, martirizimit të qindra e qindra mijëra të burgosurve politikë, të burgosurve të ndërgjegjes së regjimit komunist. Ka mbetur Obelisku në nderim të martirëve të fjalës së lirë, të lirisë së lëvizjes, të besimit të lirë, pra të lirive dhe të drejtave që ne gëzojmë sot, por që mijëra e mijëra shqiptarë paguan me jetë dhe me rininë  e tyre në regjimin diktatorial. Ka mbetur jashtë memories historike gjenocidi kulturor qe kreu klika hoxhiste në Shqipëri, duke rrënuar vlera shekullore, kulturore në institucionet e kultit. Në një shkallë apo në një tjetër edhe regjime të tjera në Evropën ish komuniste dëmtuan , por kurrë nuk bënë atë, as Stalini vetë, diktatori më i gjakësor i kohërave nuk shkoi në atë shkallë sac shkoi Enver Hoxha me insitucionetg  ekultiti. Ai rrafshoi me qindra kisha, xhami e teqe shekullore. Kjo nuk është memorizuar në  historinë tonë. Nuk ka një akt më makabër. Natyrisht që ne jemi marrë me të gjallët dhe do të merremi, jemi marrë me jetën dhe do të merremi , por ajo ishte një trashëgimi shekullore, e parikthyeshme, e pakompensueshme. Ndaj dhe është e domosdoshme që ky problem të trajtohet në mënyrë të gjithanshme dhe serioze. Unë ju them ju dhe një gjë tjetër se ku shkuan ikonat dhe pikturat. Ato u vodhën në mënyrën më monstruoze nga bllokmenët. Dhe i kërkoi zotit Rama atë kërkoj të falur publikisht për këtë gjenocid kulturor në emër të partisë së tij, për të mos thënë tjetrën që Fatos Nano e akuzoi në katarsis se e mora në Paris tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo mbi bazë faktesh , por e vërteta është që ikonat dhe pikturat i morën më shumë piktorët, skulptorët dhe amatorët  e pikturës dhe të skulpturës të nomenklaturës. Se ku e bazon zoti Nano këtë deklaratë atë duhet ta sqarojë, por bëj thirrje ta dënojë dhe të kthehet të gjitha ikonat dhe pikturat e marra nga institucionet e kultit. Ati janë trashëgimi kulturore  e përjetshme  e kombit shqiptar.

Ka një akuzë po ka dhe një fakt të pamohueshëm, që sipas një statistike 250 ikona dhe piktura janë zhdukur dhe nuk gjenden më sepse u morën në atë batërdi, pikërisht nga këta njerëz.

Komiteti duhet të vazhdojë punën, nuk është memorizuar në memorien kombëtarë në mënyrën e duhur eksodi. Nuk ka një komb tjetër që të ketë pësuar në Evropë, atë që pësuam ne në atë shkallë. E pësuam në kohën e Skënderbeut kur dheu u pushtua nga të gjitha anët, por e pësuam në vitin 90, jo se shqiptarët nuk donin vendin e tyre, jo se erdhi një pushtues i huaj por se tregu i gjeti ata skllevër të vërtetë të një sistemi që u kishte marrë çdo gjë, pronën private dhe gjithçka tjetër. Dhe nuk mundet që kjo tragjedi  e përmasave biblike kombëtare të mos memorizohet në memorien kombëtare në këtë 100 vjetor.

Janë dhe një seri detyrash të tjera që ky komitet do të zgjidhë, siç është përpjekja më e fortë për rikthimin  e eshtrave të Sami Frashërit, Mithat Frashërit, kokën e Ali Pashës. Se dje i gjithë shtypi ishte marrë me kokën e Ali Pashait. U kërkua të shkonte në Stamboll koka dhe vetëm se ishte kokë shqiptari. Dhe ne duhet ta kthejmë me të gjithë nderimet që i takojnë këtij burri të madh legjendar, diplomat, strateg, siç thamë pra , të merremi vesh me autoritetet e Tepelenës, ta varrosim në muze, por edhe në Tepelenë nuk po e përcaktoj vendin, por ai meriton një nderim pas kaq dekadash një burrë që krijoi një oborr të ndritur që u vizitua nga personalitet më të mëdha të kulturës në Evropë, por edhe të diplomacisë, si Bonaparti, më i fuqishmi shtetar i planetit në atë kohë kishte vlerësimin më të madh dhe i kishte dërguar atij një nga gjeneralët më besnikë, Bajroni dhe shumë të tjerë. Ndaj dhe duhet ta rikthejmë kokën.

Është e domosdoshme zotërinj ministra që në bashkëpunim me Vatikanin dhe Kishën Katolike të ndërtojmë siç ka qenë kishën e Vaut të Dejës, kisha më e vjetër e vendit. Para dy muajsh festuam 950 vjetorin  e Dioqezës së Savës, por Kisha nuk ishte. Kisha mungonte se ishte hedhur në erë me dinamit. Ka të gjitha të dhënat se projekti ekziston në Vatikan dhe në atë duhet ta ndërtojmë si dëshmi e vendosmërisë sonë për të zhvilluar vlerat e mëdha kulturore të vendit. Bisedimet paraprake janë zhvilluar, por ne duhet të ecim më tej.

Zoti ministër i arsimit, është  e domosdoshme të sponsorizohet televizioni shtetëror,  të japë me satelit mësimin periodik të gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare. Për këtë një duhet të krijohet me urgjencë një komision i përbashkët me autoritet e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të zi dhe të miratohet një platformë dhe tekst për gjuhen shqipe dhe nuk mjafton vetëm abetarja, por duhet të jepen në mënyrë të vazhdueshme gjuha shqipe në televizion shtetëror me satelit. Qeveria duhet të përcaktojë fondin  e nevojshëm që kërkon ky transmetim dhe ta përballojë plotësisht.

Krahas gjuhës shqipe do të jetë dhe mësimi i historisë kombëtare. Këto dy lëndë duhet të unifikohen bashkë me autoritet e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe duhet të ketë cikle të vazhdueshme në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të mund të ndjekin mësimin rrjedhshëm të gjuhës së tyre amtare dhe të historisë së tyre kombëtare.

Pra dhe zotërinj ministra, siç e shihni megjithë përpjekjet e mëdha që ka bërë komiteti shtetëror është e domosdoshme që tja zgjatim dhe tre muaj të tjera afatin, natyrisht deri në prill se pastaj fillon fushata zgjedhore dhe nuk është normale që në fushatë zgjedhore të bëhet propagandë me historinë, se nuk është historia që duhet të karakterizojë fushatën zgjedhore. Fusha zgjedhore duhet të jetë me nevojat më kryesore ,me problematikat më kryesore të qytetarëve. Por 100 vjetori duhet të plotësohet dhe më këto probleme madhore që duhet të marrin përgjigjen më dinjitoze , siç kanë marrë deri më sot problemet historike të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›