E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Me APOEL-in bëjmë show

Reali i Madridit nuk do të bëjë eksperimente, edhe pse fitoi 3-0 në Nikosia.

Portugezi akuzon median: Doni të na destabilizoni.

Me qetësinë që i siguron rezultati 3-0 që siguroi në Nikosia, Zhoze Murinjo këmbëngul se ai nuk po mendon për gjysmëfinalen me Bajernin e Mynihut, pasi ka edhe 90 minuta për të luajtur kualifikimin. Portugezi premtoi se ai nuk ka aspak ndër mend të hedhë në fushë rezervat, dhe se do ta marrë më shumë se seriozisht APOEL-in. Kampionët e Qipros kanë qenë skuadra surprizë e këtij sezoni, duke arritur në çerekfinale për herë të parë në historinë e klubit. Por në ndeshjen e një jave më parë në Nikosia, APOEL-i nuk gjuajti asnjëherë brenda kuadratit të Iker Kasijasit. “Pak njerëz mendojnë se qipriotët mund të fitojnë në ‘Bernabeu’ 4-0. Por ne duhet të respektojmë tifozët dhe kundërshtarët tanë, prandaj unë kam vendosur të bëj shumë pak ndryshime në formacion. Do të luajmë si zakonisht për të dhuruar spektakël”, – deklaroi në konferencën për shtyp “speciali”. Pasi mori në mbrojtje Pepen dhe ngriti në qiell Angel di Marian, pas rikthimit të argjentinasit në forum, ai pranoi se nuk ka ndër mend të lërë pushim as Ksabi Alonson dhe as yllin e skuadrës, Kristiano Ronaldo, në ndeshjen e sotme: “Nuk janë aspak të lodhur. Në dy sezonet e fundit të Champions-it kemi pasur rezultate të shkëlqyera dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Ndaj APOEL-it do kërkojmë sërish maksimumin. Të fitojmë dhe të bëjmë show”. Ish-trajneri i Çelsit dhe Interit nuk harroi të lëshojë sulmin e radhës ndaj mediave, të cilat i akuzoi në mënyrë direkte se po përpiqen të destabilizojnë skuadrën: “Çdo ditë ju përpiqeni të bëni të njëjtën gjë. Doni të na shpërqendroni me spekulime mediatike. Javën që shkoi, unë isha gati të shkoja te Mançester Siti në Angli. Kasijasi te Shalke dhe Di Maria diku tjetër. Ndërsa Kajl Uokeri i Totenhemit dhe Glen Xhonsoni i Liverpulit do të vinin në Madrid. A e kuptoni se çfarë po bëni?! Por nuk keni për t’ia arritur, sepse grupi ynë është i fortë dhe do të mbetet i tillë deri në fund. Ne gëzojmë dhe hidhërohemi së bashku”.

Ivanoviç: Nuk jemi në Madrid për pushime
Është i vetëdijshëm se aventura e bukur që nisi ndaj Skënderbeut të Korçës do të përfundojë sot në mbrëmje, por Ivan Jovanoviç nuk ka ndër mend të bëjë turizëm në Madrid. Trajneri i APOEL-it, pavarësisht mungesave të Triçkovskit dhe mbrojtësit Marselo Oliveira, beson se qipriotët mund ta mbyllin në mënyrën më dinjitoze këtë fushatë historike. “Javën e fundit në kampionat mundëm 2-0 rivalët e Omonias. Dhe tani kemi një tjetër detyrë. Të mbyllim denjësisht këtë edicion të jashtëzakonshëm në Europë. Nuk jemi në Madrid për të bërë pushime. Kemi ardhur deri këtu, sepse e merituam”, – tha Ivanoviç.

Ronaldo: Dua Champions-in e titullin
Kristiano Ronaldo vë buzën në gaz, kur e pyesin nëse APOEL-i ka ndonjë shans për kualifikim në Madrid. “Le të mos bëjmë hipokrizi. 90% ka përfunduar gjithçka. 10% janë shanset e tyre. Sepse në futboll gjithçka mund të ndodhë”, – tha ylli portugez në një intervistë të shkurtër për “As”. Kristiano foli dhe për formën e tij aktuale. “Gjërat po shkojnë më së miri. Ne jemi në garë për të fituar si Ligën e Kampioneve, ashtu edhe kampionatin. Më duhet të them se unë nuk jam perfekt. Kam ende për të mësuar. Jemi në një fazë të sezonit ku shumë lojtarë ndiejnë lodhje, por kjo nuk vlen për mua”, tha sulmuesi 27-vjeçar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›