E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo ironizon Barcelonen I mundim edhe me 10 lojtare

Hoze Murinjo duket se ka harruar “la manita’ ose humbjen turpëruese 5-0 në ndeshjen e parë dhe në prag të sfidës kundër Barcelonës ironizon kundërshtarët e skuadrës së tij. Duke nisur nga e shtuna në mbrëmje, Reali i Madridit do të përballet katër herë me rivalët e përjetshëm në Primera Divizion, në finalen e Kupës së Mbretit dhe dy herë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Megjithë pritshmërinë e madhe për këto sfida, Murinjo gjen kohën për të sulmuar Barcelonën, duke thënë se mund të fitojë edhe me dhjetë lojtarë.

“Jemi të bindur te fitorja. Unë e kam studiuar mirë Barcelonën dhe mendoj se mund të fitojmë dhe me dhjetë lojtarë, pasi nuk ka patur ndeshje kundër tyre që ne ta kemi mbyllur me 11 futbollistë”,- është shprehur Murinjo, i cili sipas mediave spanjolle rrezikon pankinën nëse nuk mbyll me sukses sfidat kundër skuadrës së Pep Guardiolës.

Deklarata e trajnerit të Realit shihet si sulm edhe ndaj Federatës, që sipas teknikut portugez favorizon Barcelonën. Murinjo ka përgënjeshtruar zërat në lidhje me të ardhmen e yllit të skuadrës së tij Kristiano Ronaldo.

“Ai është i pashitshëm. Megjithëse fjala e fundit i takon presidentit. Unë mund të them se nuk ka skuadër, sado e madhe të jetë ajo që të plotësojë detajet financiare të tij’,- ka përfunduar Hoze Murinjo.

Reali i Madridit renditet në vendin e dytë të klasifikimit me tetë pikë më pak se Barcelona.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›