Murit me kokë apo diellin me shoshë!
Fatalitet elektoral!
Hipnoza elektorale që mazhoranca tenton të rrënjosë është se mandati i tretë i saj është i shkruar. Deri me referenca patetike apo hyjnore si ajo me Papën, Bajernin etj. E di që nuk është shumicë por nuk e ka problem sa kohë ia ka marrë dorën abuzimit elektoral si në votë, ashtu edhe proces (intimidim i votuesit, premtime abuzive, thasë me miell, media-propagandë, lobim allapodesta etj) teksa perëndimi vijon me autizmin zhgënjyes.
Me luftën e nervave, bërjen e të fortit dhe arrogancën e karshillëkun absurd, deri edhe ndaj partnerit amerikan(!), ajo nga njëra anë u jep flatra mbështetësve në panik, nga ana tjetër dërgon një mesazh paekuivok se nuk ka gajle për asgjë.
Beteja për mendjen
Kjo fushatë po zhvillohet paralelisht si në ballafaqimin e platformave elektorale, larmisë së komunikimit, emrave në listë, efiçencës së rutinës elektorale, akrobacirave elektorale ashtu dhe … psikozës në elektorat.
Miu i mazhorancës ka kaluar tashmë disa herë nën mustaqet e publikut dhe perëndimit. Të gjithë e dinë se ajo nuk bën bllof dhe qershori nuk bën përjashtim. Ajo nuk e ka më luksin e rotacionit si për shkak të makthit të kutisë së Pandorës ashtu dhe interesave gjeopolitike, ndërkohë që tundohet si kurrë më parë për shkak të shtimit të butonave e levave elektorale në dispozicion.
Përballë psikozës së murit që nuk i bihet me kokë të mazhorancës dhe efekteve demoralizuese eventuale, opozita duhet të rrënjosë dhe dominojë me psikozën e rotacionit si dielli që nuk mbulohet me shoshë me efekt inkurajues si tek mbështetësit ashtu dhe ngjalljen e panikut dhe rënien e dominove tek kampi mazhoritar.
Një proces kompleks sinergjik ky nga (a) konsistenca dhe kohezioni në koalicion rreth premtimeve, tonit dhe gjuhës së komunikimit, (b) shmangia e çdo kundërvënie apo diversioni mes palëve me efekt mediatik, (c) krijimi i një strukture hierarkike ad-hoc që monitoron dhe ndërhyn në kohë reale ndaj çdo problemi në terren duke garantuar standardizim dhe efikasitet në zgjidhjen e tij, (d) paraqitje profesionale në media e takime elektorale me platforma dhe teza konverguese etj të domosdoshme për një qasje efektive holistike d.m.th ku e tëra është shumë më tepër se shuma e pjesëve. Duke bërë që orkestra opozitare, falë sinkronizimit dhe dirigjimit, të prodhojë sinfoni mbresëlënëse përkundrejt stonimit e kakofonisë irrituese të çdonjërit në hesap të tij.
Pakt për rotacion
Për ti vënë vulën inspirimit dhe motivimit pa kthim të elektoratit, është domosdoshmëri avancimi i statusit të kampit opozitar në një pakt për rotacion. Kjo sepse, qielli opozitar mbetet ende kaotik dhe i fragmentizuar teksa në një anë kemi kometën e gjatë të PS dhe nga ana tjetër asteroidë në trajektore të pavarur (FRD, AK, pavarur) duke rrezikuar konfuzion e përplasje me efekt në psikologjinë e rotacionit.
Nëse pakti për bashkëqeverisjenuk ishte i thënë, një pakt i përkohshëm pro-rotacion, sa kohë ai është ajo çka të gjithë deklarohen, është një lëvizje me detyrim-përcaktim, bile e vonuar, për to. Ai do të ishte mesazhi që do të ngjizte dhe konsolidonte pakthim entuziazmin e fitores duke zhvlerësuar përfundimisht psikozën e fatalitetit që mazhoranca tenton.
Një pakt ky që garanton koordinim dhe bashkëveprim në mbrojtjen e votës, numërimin, monitorimin e procesit, ankimimin dhe qasjen ndaj perëndimit, shmangien e diversionit mes palëve, zhbërjen e tentativa përçarëse apo kompleksimit prej mazhorancës etj.
Një pakt jo për çka vjen pas 23 qershorit (përveçse ujdisë për rishikim të ligjit zgjedhor) por thjesht për 23 qershorin, bërjen e rotacionit dhe hapjen e perspektivës për të gjithë.
Një pakt që përfundimisht nuk ballafaqon më mazhorancën me copa të veçanta përballë por mazhorancën me të tërën që përfaqëson shoqërinë e bërë një në padurimin për rotacion.
Një pakt jetik si për aspiratën demokratike ashtu dhe interesin kombëtar pas cenimit dhe provokimit me episode si kufiri detar apo vijimësia e vasalitetit ndaj fqinjëve, shndërrimi i vendit në landfill për të tretë, asimetria në trajtimin e minoriteteve etj.
Një pakt që do të zgjonte interesin dhe bekimin e SHBA, sa kohë bashkë me rotacionin do të hapej një perspektivë e re në partnerishipin ekskluziv mes palëve dhe avancimin e interesave gjeopolitike të përbashkëta.
Një pakt i tillë do të zgjonte edhe votuesin më të përgjumur dhe do të rebelonte edhe votuesin më të truar për të refuzuar si fatalitet tmerrin pafund të izolimit alla Rrip të Gazës që tranzicioni provokon.
Të mëdhenjtë të tregohen të tillë
Ndonëse ulja e spektrit opozitar në një tryezë është problematike pas fjalëve të fundit të thëna që në fillim mes palëve, forcat opozitare sot kanë sfidën dhe shansin të lënë mënjanë betejën patetike për protagonizëm të çelësave të kashtës dhe të bëjnë histori.
Përballë egos së pritshme për protagonizëm partiak dhe në pamundësi të thyerjes së akullit nga vetë politika, ftesa për një pakt për rotacion duhet të ndërmerret nga intelektualë dhe individë të shquar dhe reformatorë që qëndrojnë përtej interesave të politikës së ditës.
Nëse flitet për rilindje, është koha për rilindas dhe sfida ndaj emrave të shquar të letrave, artit, ish-presidentëve, mërgimtarëve patriotë, aktivistëve shoqërorë, ikonave të shqiptarizmit etj është dalja nga guaska komode dhe investimi i fjalës, autoritetit dhe i veprës në shërbim të shoqërisë që i nderon kaq shumë por që tashmë ka nevojë për ta. Duke u bërë së bashku strumbullar të një tryeze të rrumbullakët ku të ftohen pa komplekse dhe pa paragjykime i gjithë spektri politik që aspiron normalitet demokratik, gjeneza e të cilit mbetet rotacioni.
Rotacioni si katalizator i integrimit
Rotacioni ka efekt direkt në procesin e integrimit europian. Tranzicioni, ky eksperiment i ribërë kaq herë dhe pengesë në integrimin drejt BE, ka si konstante të dy dekadave problematike lidershipin mazhoritar, shmangja e të cilës përmes rotacionit, do të ishte një premisë për më tej.
Vetë integrimi në BE është një sagë më vete për shoqërinë por me rotacionin dhe normalitetin demokratik më pas, topi do të dilte nga fusha jonë dhe predispozicioni europian do të testohej seriozisht. Kjo, sepse për vende të tjera si p.sh. Serbinë, vërehet zell pro-integrim pavarësisht gjenocidit në Ballkan, qëndrimit ndaj Kosovës, pakicave etnike në Serbi, të zhdukurve gjatë luftës etj (njëlloj si të shpërblesh një grabitës sepse bindet dhe kthen
