Një kryeministër që nuk dëgjon
Ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit dhe propaganda qeveritare përpiqet ti pasqyrojë mitingjet e kryeministrit si pritje madhështore! Ajo është kujdesur të bëjë një ndarje si me thikë midis takimeve që bën opozita dhe atyre që bën qeveria. Mitingjet e zotit Rama kërkon ti kanalizojë si takime të mbyllura nëpër salla, duke e interpretuar këtë me frikën e opozitës për ti bërë masive takimet elektorale nëpër sheshe. Në realitet ka ndodhur që opozita po i organizon takimet e saj në të gjitha format, në sheshe, salla, pallate sporti, apo edhe bashkëbisedime të lira me pyetje nga vetë qytetarët ku secili syresh merr përgjigje nga lideri i opozitës.
Ndërkohë, kryeministri Berisha ka gjetur sheshet, ku angazhohet një administratë e tërë për ti mbushur, si destinacionin e vetëm ku takohet me popullin. I mbledhin njerëzit duke u thënë se po vjen tju flasë kryeministri dhe asnjëherë nuk u thonë se po vjen kryeministri për tju dëgjuar. Ky kryeministër nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm të flasë, çapraz biles.
Populli nuk ka nevojë të dëgjojë një kryeministër, por pret të dëgjohet prej tij. Po kush do e merrte mundimin të dëgjonte drejtpërdrejtë, sy më sy, hallet dhe problemet e njerëzisë? Aty do vihej përpara përgjegjësisë: do njihte varfërinë, fukarallëkun, papunësinë, analfabetizmin, problemet me pronat, gjakmarrjen, mungesën e shtetit, korrupsionin, mospërfilljen nga administrata …
Pasioni i kryeministrit është vetëm podiumi, lartësia, vështrimi i njerëzve nga lart-poshtë. Në fakt, nëpër sheshe kryeministri është vetvetja, sepse në distancë ai ndjehet i sigurt dhe me delirin që e karakterizon, kujton se po frymëzon turmat. I duket kryeministrit ashtu, sepse ata njerëz, pikërisht ata që pak më parë përbënin turmën që e priti, sapo të ndahen prej tij, e pret sërish ajo problematikë që theksova më lart. Sigurisht edhe mungesa e perspektivës për të ardhmen që kryeministri kujton se ua hoqi me madhështinë e mitingut të radhës.
