E Diel, 1 Nëntor 2026

Murtaja në blegtori, 50 grupe pune kontroll në akset nacionale

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në bashkëpunim me Policia e Shtetit, ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore nacionale të vendit, në kuadër të masave për parandalimin dhe kontrollin e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR).

Sipas njoftimit zyrtar, më shumë se 50 grupe pune të përbëra nga veterinerë zyrtarë dhe efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren për të monitoruar lëvizjen e kafshëve të gjalla dhe për të verifikuar dokumentacionin shoqërues, me fokus të veçantë te Certifikata e Lëvizjes.

Kontrollet synojnë të parandalojnë lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve, të cilat konsiderohen një faktor i rëndësishëm risku për përhapjen e sëmundjes, si dhe të garantojnë zbatimin rigoroz të masave veterinare në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve bën të ditur se institucionet e përfshira mbeten në gatishmëri të plotë për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe kufizimin e çdo mundësie përhapjeje të PPR-së në territorin e vendit.

Masat e shtuara të monitorimit janë pjesë e planit të reagimit për forcimin e kontrollit veterinar dhe ruajtjen e sigurisë së sektorit blegtoral në vend, citon në njoftimin zyrtar AKVMB-ja.

1 nga 3

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›