Mustafa: Deklarata e 2 Korrikut, shenon kthesën historike

Me rastin e 2 Korrikut - Ditës së shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përgëzuar qytetarët e vendit, si dhe deputetët e Kuvendit të atëhershëm, të cilët e shpallën këtë deklaratë.
“Deklarata e 2 Korrikut dhe aktet që e pasuan atë, shenojnë kthesën historike në përpjekjet e Kosovës për liri, pavavësi dhe demokraci, të cilat u artikuluan fuqishëm në dekadën e fundit të shekullit XX sidomos nga Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili gjithmonë thoshte se 2 Korriku i vitit 1990 është njëra ndër datat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, e cila u parapriu akteve të tjera madhore, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi i vitit 1991”, konsideron Mustafa.
Andaj, ai thotë se, LDK-ja do të ketë kujdes të veçantë për nderimin e kësaj date, e cila do të kujtohet si njëra ndër momentet vendimtare në udhën tonë të gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci. /Indeksonline/