E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja Jahjaga shpall datën e zgjedhjeve lokale

(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar konsultimet përmbyllëse me liderët e partive politike parlamentare dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve komunale në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.

Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre.

Bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga ka dekretuar 3 Nëntorin 2013, datë të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në vend.

---

Shpallja e datës së zgjedhjeve ka shumë mundësi të bëhet sot. Burime të Indeksonline brenda qeverisë dhe Presidencës thanë që momentalisht po kryhen obligimet e fundit që Presidentja Atifete Jahjaga të zyrtarizojë datën 3 nëntor si ditën kur do mbahen zgjedhjet lokale në tërë territorin e Kosovës.

“Shpresojmë që presidentja Atifete Jahjaga sot pasdite do të dal me një qëndrim rreth zyrtarizimit të datës 3 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend”, ka thënë burimi, në kushte anonimiteti.

3 nëntori është data e kompromisit që është arritur në takimin e fundit që është mbajtur në Bruksel në mes të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Data ka marrë përkrahjen edhe të dy partive opozitare LDK dhe AAK dhe faktorit ndërkombëtar/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›