Mustafa: EULEX, angazhohuni më shumë
.jpg)
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, është takuar sot me shefin e ri të EULEX-it, z. Borchard. Takimi i tij ka qenë njohës dhe në vazhdën e takimeve me instuitucione e subjekte politike.
Në këtë takim të parë, kryetari i LDK-së, Mustafa, ka kërkuar nga z. Borchard që EULEX-i të japë kontributin e vet, në bazë të mandatit që ka, për të instaluar shtetin ligjor në tërë territorin e Kosovës. Ai ka thënë se është jetike për Republikën e Kosovës, si një shtet i ri, që rendi dhe ligji të sundojnë në tërë territorin.
Z. Mustafa, po ashtu, prezantoi idetë dhe qëndrimin e LDK-së sa i përket shtrirjes së intitucioneve të Kosovës në veri të vendit.
Nga ana tjetër, z. Borchard ka folur për punën dhe rezultat e arritura, si dhe për mandatin e EULEX-it edhe pas viti 2014.
Ai ka thënë se EULEX-i në vijimësi ka dhënë përkrahje për sundimin e ligjit në Kosovë dhe ka theksuar se BE-ja do të ketë rol të shtuar në veri, si dhe ka premtuar angazhim substancial të misionit që drejton edhe në të ardhmen./Indekshonline/