E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Nuk do të ndodhë kurrë

Krijimi i komunës së re në “Kodrën e Trimave” është ëndërr e parealizuar dhe absurde e Hashim Thaçit. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u ka thënë qytetarëve të kësaj lagjeje të kryeqytetit se kjo nuk do të ndodhë kurrë, sidomos kur krejt kjo çështje është vetëm ide e Thaçit.

Marrja e statusit të komunës u ngrit nga vetë qytetarët e “Kodrës së Trimave” në një tubim me qytetarë të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ku u diskutua plani zhvillimor-urban dhe buxheti për vitit 2014. Në mesin e shumë pyetjeve për infrastrukturën dhe shërbimet publike, qytetarët u interesuan edhe për idenë e kryeministrit që lagja e tyre të bëhet komunë. Kryetari i Prishtinës, Mustafa, e ka quajtur absurde idenë e kryeministrit Thaçi, që, sipas tij, ka për qëllim ndarjen e bastionit të LDK-së nga Prishtina, në mënyrë që PDK-ja të fitojë zgjedhjet në kryeqytet, transmeton KTV.

Sipas Mustafës, ideja e krijimit të komunës së re, përveçse dështoi në Kuvendin e Kosovës, ngase tashmë është shpallur data e zgjedhjeve në kuadër të territorit aktual të komunave, ajo do të dështojë përsëri, sepse asnjë banor nuk do ta përkrahë këtë ndarje. Në vend të deklaratave për krijimin e komunave të reja, Mustafa kërkoi nga Thaçi edhe një herë që ta miratojë sa më shpejtë Ligjin për kryeqytetin./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›