E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Raporti i Martyt dëmton Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i ka bërë një dëm të madh Kosovës, me një raport i cili pa asnjë argument është vënë në funksion të hedhjes poshtë të gjithë asaj që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës.
“Është një dëm shumë i madh i cili po i shkaktohet Kosovës këto ditë, është një raport i cili pa argumente të caktuara është vënë tani në funksion dhe po shfrytëzohet që të themi të demantohet dhe të hidhet poshtë ajo që është bërë këtu nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga populli i Kosovës për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”.
“Është thënë që ne do të jemi të hapur për të gjitha argumentet të cilat do të jepen dhe unë mendoj që një fushatë e tillë ndaj Kosovës dhe ndaj pavarësisë së Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës nuk ka bazë, ndërkaq mendoj që Kosova duhet të jetë e hapur që të argumentohen, të jepen faktet që tani mungojnë dhe përderisa situata është kështu unë mendoj se është shumë e dëmshme për ne dhe totalisht e papranueshme”, ka thënë Mustafa.
Lideri i LDK-së, Mustafa, ka thënë se Kosova duhet t`i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, duke shfrytëzuar rrjetin diplomatik jashtë në mënyrë që të thuhet e vërteta para bashkësisë evropiane dhe që në mënyrë institucionale, Kosova t`i kundërvihet propagandës që po bëhet ndaj saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›